Mustafa: Reformat e ndërmarra po japin rezultate në ekonomi (Foto)

Ekonomi

Mustafa: Reformat e ndërmarra po japin rezultate në ekonomi (Foto)

Më: 20 prill 2016 Në ora: 13:52

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u ka premtuar përfaqësuesve të bizneseve, përkrahje, përmirësim të kushteve të punës dhe ambient më të favorshëm për zhvillim të biznesit të tyre në Kosovë.

Këto premtime presidenti Thaçi i bëri sot në hapjen e panairit të përgjithshëm “Prishtina 2016”, që po mbahet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë më periferi të Prishtinës.

Thaçi: Të përpiqemi të sigurojmë tregje të reja të prodhimit

“Rritja ekonomike e vendit mund të vihet nëse integrohemi shumë mirë në tregjet ndërkombëtare. Prandaj të gjithë duhet të mbështesim fuqimisht në integrimin e Kosovës në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. Të përpiqemi për të siguruar tregje të reja për prodhime dhe shërbimet kosovare si dhe për zgjedhimin e konsolidimit e tregjet tona ekzistuese. Ky panair është gjithashtu shumë i dobishëm për promovimin e Kosovës si një destinacion tërheqëse për investitorët e huaj….Si president i vendit mbështes fuqishëm kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës për hapat që po ndërmerren në reformat në ekonomi”, tha Thaçi.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës , Isa Mustafa, tha se reformat që i ka bërë në politika fiskale kanë ndikuar dhe tashmë sipas tij vendi ka një ambient më të mirë ekonomik.

Mustafa: Me reforma kemi krijuar ambiente më të mirë ekonomik

“Kemi bërë disa reforma të rëndësishme sa i përket politikave fiskale të cilat në pikëpamje të deklarimit të bizneseve po shprehen pozitivisht në të bërit biznes dhe në një ambient krejtësisht më të mirë ekonomik se sa që e kemi pasur deri më tani. Qeveria do të vazhdoj edhe më tutje me ndryshimet varësisht nga dialogu ynë dhe varësisht nga disponimi dhe kërkesat e bizneseve do të vazhdojmë po ashtu të krijojmë një ambient për të përgatitur bizneset tona që të implementojmë MSA-në”, tha Mustafa.

Në panair të pranishëm ishin edhe përfaqësues të ambasadave në Kosovë. Në këtë rast Peter Hasslacher, nga ambasada e Austrisë në Kosovë, tha se shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Austrisë janë në rritje.

Hasslacher: Ka rritje të shkëmbimit tregtarë Kosovë-Austri

“Jemi këtu të pranishëm me disa kompani nga Austria , jemi këtu për të vizituar panairin po në të njëjtën kohë edhe për të avancuar biznesin . …Vlen të theksohet se eksportet e produkteve të Kosovës në Austri kanë përparuar dhe kanë rritje për 80 përqind dhe eksportet e Austrisë në Kosovë kanë rritje për 30 përqind. Po e shihini që gjërat po lëvizin dhe jemi duke avancuar. Kemi shumë potencial që mundtë shfrytëzohet dhe kjo është arsyeja që jemi ne këtu sot”, tha Hasslacher.

Panairi i përgjithshëm “Prishtina 2016’, është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet të tjera. Në panair janë duke marrë pjesë përfaqësuesit e mbi 100 kompanive nga Kosova dhe vendet e regjionit. Panairi do të jetë i hapur nga 20 deri në 23 prill.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat