Ligji për Investime Strategjike, s’është në përputhje me direktivat e BE-së

Ekonomi

Ligji për Investime Strategjike, s’është në përputhje me direktivat e BE-së

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 16:40

Ligji për Investime Strategjike nuk është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Kjo e fundit ka vlerësuar se pjesa e ligjit që ka të bëjë me çështjet si ambienti, ndihmat shtetërore, prokurimi publik dhe përfshirja e ndërmarrjeve shoqërore në këtë ligj nuk janë në përputhje me direktivat e BE-së, përderisa procedurat e caktuara për privatizimin e tyre tashmë ekzistojnë.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, përfaqësues të zyrës për informim të Komisionit Evropian në Prishtinë.

Në përgjigjet e dërguara përmes postës elektronike ata kanë thënë se sa i përket Ligjit për Investime Strategjike, Zyra e BE-së ka pasur disa brenga përkitazi me përputhshmërinë e këtij ligji me legjislacionin e BE-së, më saktë pjesët që kishin të bëjnë me çështjet si ambienti, ndihmat shtetërore dhe prokurimi publik.

Ndërsa këshilltarja e Hykmete Bajramit, ministrie e Tregtisë dhe Industrisë, Vjollca Dibra, tha se MTI-ja ka pranuar komentet e BE-së dhe se ato janë përfshirë në draft ligj.

Sipas saj, zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar që ka edhe disa komente në projektligj, që sipas saj, ato janë mirëpritur nga MTI.

Ndërsa, Blerim Grainca, anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, tha se në Komision nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të BE-së për këtë ligj por thotë se në momentin kur t’i marrin ato, ata do t’i japin opinionet e tyre.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se e kanë mirëpritur me disa rezerva dhe me skepticizëm nxjerrjen e një ligji të tillë, pasi është e rëndësishme që Qeveria t’i ketë duart e lira në negocimin me investitorë strategjikë, meqenëse se kjo çështje ka qenë problematike në të kaluarën. Sipas Zekës me ligjet aktuale gjithçka duhet të shkojë përmes ankandeve ose procedurave me ankand.

Sipas tij, disa investitorë serioz ose investitorë të mëdhenj nuk kanë pasur ndoshta interesimin që të kalojnë përmes procedurave të tilla.

Qeveria ka dërguar në Komision Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ligjin për Investime Strategjike, i cili ka kaluar në lexim të parë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat