Ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, në kolaps

Ekonomi

Ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, në kolaps

Më: 2 shkurt 2016 Në ora: 17:12

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë nga ekspertë të çështjeve ekonomike, po konsiderohet si njëri nga dështimet më të mëdha të vendit, që nga pas lufta.

Privatizimi i drejtuar fillimisht nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK, e më pas nga Agjencia e Kosovare e Privatizimit, sipas ekspertëve, vlerësohet të ketë qenë një proces i korruptuar, i cili la pasoja të mëdha në ekonominë e Kosovës.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se shumica e ndërmarrjeve shoqërore të cilat kanë kaluar në procesin e privatizimit janë shkatërruar, derisa punëtorët e atyre ndërmarrjeve kanë mbetur pa punë.

“Procesi i privatizimit në Kosovë i filluar nga Administrata Ndërkombëtare e UNMIK-ut, ka qenë një proces i dështuar dhe i korruptuar. Procesi i privatizimit është një nga dështimet më të mëdha të Kosovës pas luftës, pasi që ne nuk kemi arritur të inkasojmë të hyra të mëdha për arkën e shtetit nuk kemi arritur që t’i ruajmë vendet e punës dhe sot kemi një sektor shoqërore gati të kolapsuar”, thotë Gashi.

Janë bërë 13 vjet që kur ka filluar raundi i parë i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.

Që nga ajo kohë deri në gusht të vitit 2014, kur është marrë vendimi i fundit i privatizimit, janë nënshkruar rreth 1300 kontrata.

Ndërsa, vetëm brenda Kosovës janë edhe rreth 1500 asete të cilat nuk janë shitur ende dhe janë 190 asete të cilat janë jashtë Kosovës.

Gashi kujton se në kohën kur pati filluar privatizimi, Kosova nuk ka qenë një vend atraktiv për investime, pasi që, siç thotë ai, situata politike ishte dekurajuese për investitorët e jashtëm.

Në këtë mënyrë, shton ai, i gjithë procesi i privatizimit nuk ka arritur të mbledhë as 1 miliard euro, derisa në vendet fqinje të Kosovës, vetëm një kompani është shitur një miliard euro.

Në anën tjetër, ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismajl Kastrati, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji me të cilin u bë privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk ishte i favorshëm për këtë proces dhe as për rigjenerimin e punësimit apo të ndërmarrjeve shoqërore.

Po ashtu, ai thekson, se ne procesin e privatizimit u futën interesa të njerëzve që ishin në pushtet.

“Procesi i privatizimit si i tillë hyri më një cikël të grabitjes dhe të ndërrimit të destinimit të ndërmarrjeve shoqërore, shumica prej tyre u shndërruan në halle sporti ose në super-markete, kurse pajiset e shtrenjta të atyre ndërmarrjeve u shndërruan në skrap”, thekson Kastrati.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pati ngritur aktakuzë ndaj tetë zyrtarëve dhe ish-anëtarëve të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ata dyshoheshin për kryerjen e veprave penale: “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Mashtrim” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Përveç korrupsionit që thuhet se ka përcjellë procesin e privatizimit, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi thotë se autoritetet kompetente të këtij procesi bënë gabime tjera.

Gabimi më i madh, sipas tij, është bërë kur nuk iu është kushtëzuar blerësve të ri që të mos ndërrojnë destinimin e ndërmarrjes e cila është privatizuar.

“Për këtë arsye shumica e këtyre ndërmarrjeve nuk janë blerë nga njerëz të cilët kanë qenë të kualifikuar për veprimtari të caktuar, por janë blerë nga njerëz të cilët kanë pasur për qëllim ndërrimin e destinimit të këtyre kompanive dhe kriteri kryesor nuk do të duhej të ishte çmimi më i lartë, por çmimi i investimeve që ata do të bënin në kompanitë e privatizuara dhe përvoja e punës në sektorë të caktuar”, thotë Gashi.

Sidoqoftë, Gashi thekson se jo të gjitha ndërmarrjet shoqërore të privatizuara kanë dështuar, dhe sipas tij, ka disa prej tyre që janë treguara të suksesshme, por që "ato mund të numërohen në gishtat e njërës dorë".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat