​Fischler premton mbështetje për bujqësinë në Kosovë

Ekonomi

​Fischler premton mbështetje për bujqësinë në Kosovë

Më: 1 shkurt 2016 Në ora: 16:07

Ish - komisioneri i Bashkimit Evropian për Bujqësi dhe ish ministër i Bujqësisë së Austrisë, Franz Fischler, e ka vlerësuar si më të rëndësishmen fushën e Bujqësisë ku Kosova duhet të ketë fokus të madh.

Për këtë ai i ka premtuar ministrit të Bujqësisë Memli Krasniqit, se do ta ketë përkrahjen e tij, në drejtim të avancimit të politikave dhe proceseve integruese.

Fischler gjatë këtij takimi thuhet ta ketë vlerësuar angazhimin e Qeverisë që këtë potencial që ekziston në bujqësi ta kthejë në vepër.

Ndërsa nga ana e tij ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi ka informuar Fischler se mbështetja për Bujqësinë është rritur dukshëm në vitet e fundit, gjë që ka sjellë edhe rritje të prodhimit, duke ndjekur kështu synimin që të zëvendësohet importi dhe të shtohet sa më shumë konsumi i prodhimeve vendore.

“Bujqësia po arrin të kontribuojë mjaft shumë në zbutjen e papunësisë dhe me rritjen e vazhdueshme të buxhetit dhe avancimin e politikave ndikimi i saj në ekonominë e vendit do të jetë edhe më i madh. Ministri tha se ka një interesim mjaft të madh tek të rinjtë dhe të rejat që të merren me bujqësi dhe kjo përben një shpresë se sektori do të zhvillohet. Ministri tha se po punohet që bujqësia të jetë një sektor që afron vendet e Ballkanit dhe bashkë do të punojnë në krijimin e një tregu të përbashkët. Ai deklaroi se është objektiv i vendeve të rajonit që të avancojnë politikat e tyre për bujqësinë konform atyre që janë në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim ai tha se ndihma e zotit Fischler është mjaft e domosdoshme duke ditur karrierën e tij si ministër i bujqësisë dhe për 10 vjet komisioner për bujqësi”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Bujqësisë.

Ministri Krasniqi dhe ish komisioneri Fischler u pajtuan që të kenë komunikim të vazhdueshëm me qëllim të krijimit të mundësive për bashkëpunim në projekte të ndryshme në ndihmë bujqësisë në Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat