Eksportet më të ulëta në tre vjet, rritet edhe deficiti tregtar

Ekonomi

Eksportet më të ulëta në tre vjet, rritet edhe deficiti tregtar

Më: 28 janar 2016 Në ora: 16:19

Volumi i tregtisë së jashtme të Shqipërisë ra me 2.5% në vitin 2015 në 787.5 miliardë lekë (5.6 miliardë euro) e shkaktuar nga rënia e eksporteve me 5% dhe rënia e importeve me 1.4%, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave.

Kjo është hera e parë që nga viti 2010 që volumi i tregtisë së jashtme të vendit është reduktuar, duke reflektuar njëkohësisht konjukturën e çmimeve të ulëta të mallrave të tregtisë ndërkombëtare dhe dobësisë së konsumit, investimeve dhe aktivitetit prodhues të Shqipërisë.

Eksportet në vitin 2015 qenë 243.2 miliardë lekë, (1.7 miliardë euro), ose 12.5 miliardë lekë më pak se sa në vitin 2014. Hera e fundit që eksportet e Shqipërisë kanë pësuar rënie, ka qenë rasti i krizës ekonomike dhe financiare botërore të vitit 2009.

Fundi i industrisë së lëndëve të para?

Eksportet e Shqipërisë janë rritur me ritme të larta përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit për shkak të bazës shumë të vogël të nisjes si dhe për shkak të rigjallërimit të industrisë së lëndëve të para, kryesisht minerale dhe naftë që nga viti 2000. Seria e të dhënave të INSTAT tregon se eksportet shqiptare u rritën me mesatarisht 13% në vit nga viti 2000 deri në vitin 2015, ku rënie është shënuar vetëm në vitin 2009 dhe në vitin 2015.

Importet gjatë të njëjtës periudhë janë rritur me mesatarisht 8.3% në vit ku rënia e vetme është shënuar në vitin 2008 dhe në vitin 2015.

Rritja e eksporteve është ushqyer para së gjithash nga rritja e eksporteve të grupit Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike, të cilat gjatë viteve të fundit zinin një të tretën e të gjithë eksporteve. Por gjatë vitit 2015, eksportet e këtij grupi mallrash ranë me 25%, pjesërisht si pasojë e çmimeve shumë të ulëta të naftës dhe mineraleve bazë dhe pjesërisht si pasojë e rënies së prodhimit fizik në minierat e bakrit apo në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.

Grupi tjetër që pësoi rënie dhe që lidhet gjithashtu me shfrytëzimin e burimeve natyrore të vendit është ai i Materialeve të Ndërtimit dhe Metaleve, eksportet e të cilave ranë me 4.9%.

Në anën e lajmeve të mira, grupi i mallrave Tekstile dhe Këpucë vijoi të rritet edhe gjatë vitit 2015 me 4.8% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Grupi Ushqim, Pije dhe Duhan vijoi rritjen e viteve të shkuara. Gjatë vitit 2015, eksportet e këtij grupi u rritën me 26% duke arritur në 21 miliardë lekë.

Pjesa dërrmuese e volumit tregtar të Shqipërisë vijoi të kryhet me vendet e Bashkimit Europian, nga të cilat gjatë vitit 2015 erdhën 61% e importeve dhe shkuan 75% e eksporteve. Italia është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë ku shkuan 51% e eksporteve shqiptare dhe nga ku erdhën 30% e të gjitha importeve./BIRN/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat