Jahjaga në ndarjen e çmimeve Fides (Foto)

Ekonomi

Jahjaga në ndarjen e çmimeve Fides (Foto)

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 20:15

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka marrë pjesë në ndarjen e çmimeve Fides në Prishtinë

Sipas saj ky eveniment paraqet mesazhe të fuqishme të vlerave më të sinqerta njerëzore që tejkalojnë kufijtë e vështirësitë, që thyejnë tabu e stigmë duke ofruar mundësi, shpresë, mbështejte dhe dashuri.

"Kam kënaqësinë t’ju drejtohem në këtë mbrëmje të veçantë të ndarjes së çmimeve Fides, të cilat vlerësojnë vizionin e qytetarëve dhe bizneseve të ndryshme për të kontribuar në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë me anë të shpirtit filantropik.

Vlerat që mbart kjo natë, ajo e solidaritetit, e mirëkuptimit, e tolerancës, e respektit dhe e përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit, janë vlera të cilat shoqëria jonë i ka përqafuar brez pas brezi.

Shpeshherë gjatë historisë tonë, kanë qenë këto vlera të cilat kanë mbrojtur identitetin dhe traditën tonë, kanë krijuar mekanizma mbijetese dhe rezistence, mbi të gjitha kanë shtrirë dorën e shpresës për një të ardhme më të ndritur dhe prosperuese.

Sot ato i shohim të shkrira në themelet e shtetit të cilin e kemi ndërtuar dhe në rolin që kemi marrë për obligim të luajmë si shoqëri përkrah vendeve të lira të botës.

Dëshiroj të përgëzoj organizatorët e këtij eventi që kanë kthyer tashmë në traditë të përmotshme shprehjen e mirënjohjes për vlerat qytetare e njerëzore për t’u përkujdesur ndaj njëri-tjetrit, duke vlerësuar lart përkushtimin e të gjithë atyre që sot nderohen me çmimet Fides.

Të nderuar të pranishëm,

Secila vepër filantropike është e veçantë, pasi përcjell mesazhe të fuqishme të vlerave më të sinqerta njerëzore që tejkalojnë kufijtë e vështirësitë, që thyejnë tabu e stigmë, duke ofruar mundësi, shpresë, mbështetje e dashuri.

Çdo ditë jem i të rrethuar nga nisma të cilat me impaktin e tyre ndryshojnë jetën e njerëzve, nisma të cilat arrijnë të mobilizojnë edhe masa të tëra njerëzish për t’u solidarizuar me të tjerët në mbrojtje të të drejtave e vlerave njerëzore.

Në këtë natë nderohet pikërisht edhe një nismë e tillë, e ndërmarrë nga artistja Alketa Xhafa Mripa, të cilën unë e kam mbështetur që në hapat e parë, së bashku me të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe partnerët e tij të shumtë, për mesazhin e rëndësishëm që synoi të përcjellë, atë të mbështetjes dhe të solidarizimit me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Vizioni i Alketes për të ekspozuar 5000 mijë fustane në stadiumin e Prishtinës, si thirrje për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës me anë të një instalacioni artistik, arriti të trokasë në të gjithë vendin dhe në mbarë botën, duke gjetur mbështetjen e mijëra qytetarëve në një solidaritetit të pashoq i cili u tregua gjatë këtij evinimenti.

Një solidaritet universal që tejkaloi kufijtë dhe kumboi fuqishëm për këtë krim lufte të kryer në Kosovë mbi gra e burra të pafajshëm, për këtë mjet lufte i cili ende prek më mijëra njerëz në mbarë botën dhe nevojën e një mobilizimi global për ta parandaluar atë.

Instalacioni artistik ‘Mendoj për ty’ i Alketa XhafaMripa dhe i producentesAnna di Lellio, i cili u kthye në një lëvizje, gjeti mbështetje në përpjekjet e organizatave joqeveritare të grave si Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës, Medica Gjakova, Medica Kosova, Qendra për promovimin e të drejtave të grave, përpjekjet e aktivisteve të të drejtave të njeriut si SevdijeAhmeti, Igballe Rogova, e shumë grave të tjera, të cilat q ë prej 16 vitesh pas përfundimit të luftës ngrejnë zërin për drejtësi për të të gjithë të mbijetuarit. Gjithashtu dhe përpjekjet e institucioneve të vendit për t’iu ofruar atyre një jetë më dinjitoze, duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore për këtë krim të luftës të bërë ndaj popullatës sonë.

Pasojat e rënda dhe tragjedia që preku shoqërinë tonë, popullatën e pafajshme, gratë e burrat, të moshuarit e fëmijët, gjatë kohës së luftës, u risollën në kujtesën e opinionit ndërkombëtar si një thirrje e fuqishme e mijëra qytetarëve për drejtësi.

Alketën e përgëzoj për çmimin për fushatën më të mirë vetëdijesuese dhe e falënderoj për kontributin e saj që i dha kësaj kauze kaq të rëndësishme për shoqërinë tonë.

Dhe krejt në fund, të nderuar të pranishëm, ministër, zoti Abazi, zoti Jashari, zoti Zejnullahu, zonja Berisha, duke e uruar Fondacionin për inici ativë qytetare për organizimin e këtij eventi, shpreh përkushtimin tim të palëkundur për të mbështetur çdo nismë e cila synon të mbështes të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe të ofroj mirëqenie të gjithmbarshme për të gjithë qytetarët e vendit tonë pa dallim.

Dhe krejt në fund, ju uroj të gjithëve për çmimet që do të merrni sonte dhe ju përgëzoj për kontributin tuaj të vazhdueshëm për vendin tonë", ka thënë Jahjaga.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat