Sot nis panairi “Blej Shqip”, në qendër të Prishtinës

Ekonomi

Sot nis panairi “Blej Shqip”, në qendër të Prishtinës

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 07:00

Të blesh produkte vendore në qendër të Prishtinës, kjo është ideja e komunarëve të Prishtinës, që festën e flamurit dhe ditës së Pavarësisë së Shqipërisë qytetarët ta shënojnë me produkte shqiptare.

Është viti i dytë i këtij organizimi, i cili u tregua i suksesshëm në vitin e parë. Biznese të ndryshme prodhuese nga Kosova dhe Shqipëria do të prezantojnë produktet e tyre në qendër të qytetit për tre ditë me radhë, në kuadër të panairit “Blej Shqip”.

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci, tha për KosovaPress se gjatë gjithë ditëve festive panairi “Blej Shqip”, do të pres e përcjell vizitorë të ndryshëm, të cilët kanë mundësinë e blerjes së shumë produkteve ushqimore, rrobave me motive kombëtare, etj.

“Këtë vit për Ditën e Flamurit kemi organizuar aktivitete të ndryshme. E kemi panairin “Blej shqip” që po organizohet për vitin e dytë me radhë që është pjesë e drejtorisë për Zhvillim Ekonomik. Do të ketë biznese të ndryshme nga Kosova dhe Shqipëria që do të promovojmë produktet e tyre”, ka thënë ajo.

Panairi “Blej Shqip është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Ky panair nis me 27 nëntor dhe do të zgjas deri më 29 nëntor. Panairi do të promovohet në sheshin “Skënderbeu” tek bulevardi “Nëna Terezë”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat