​Shërbyesve civilë u dalin pagat e nëntorit

Ekonomi

​Shërbyesve civilë u dalin pagat e nëntorit

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 17:08

Ministria e Financave ka proceduar pagat për muajin nëntor për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, që është katër ditë para përmbylljes së muajit. Kjo reflekton pozitën shumë të mirë financiare të buxhetit të Republikës së Kosovës sipas zyrtarëve të MF-së.

“Inkasimi shumë i mirë i të hyrave buxhetore dhe kujdesi i shtuar në shpenzime, ka mundësuar kryerjen e të gjitha obligimeve financiare që ka Qeveria. Administrata Tatimore e Kosovës ka pasur rreth 13% rritje në të hyra, ndërkaq Doganat e Kosovës rreth 8%. Kjo reflekton aktivitetin e shtuar ekonomik në Kosovë dhe gjithashtu zvogëlimin e ekonomisë joformale. Po ashtu, të hyra shtesë kanë ardhur edhe nga burime të tjera jo tatimore, si nga tantiemat për shfrytëzimin e pasurive natyrore të Kosovës rreth 30 milion euro, nga taksa koncesionare e Aeroportit dhe të hyra të tjera”, thuhet në komunikatën për medie të MF-së.

Qeveria ka racionalizuar shpenzimet në masë të konsiderueshme dhe presim që kursimet në mallra dhe shpenzime të jenë rreth 10 milion euro për pjesën e dytë të vitit, përtej kursimeve prej 25 milion euro të bëra në pjesën e parë të vitit.

Ministria e Financave falënderon të gjithë tatimpaguesit për kryerjen e obligimeve me kohë ndaj shtetit të Kosovës. Ministria e Financave njofton të gjitha organizatat buxhetore, të nivelit qendror dhe lokal, agjencitë ekzekutive dhe organizatat e tjera që përdorin paranë publike, se do të mbikëqyrë nga afër shpenzimet deri në fund të vitit për tu siguruar se çdo shpenzim që bëhet është i arsyetuar dhe në përputhje me ligjin e buxhetit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat