Bie fuqia blerëse në Kosovë

Ekonomi

Bie fuqia blerëse në Kosovë

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 13:38

Në Kosovë, të dhënat e fundit zyrtare dhe të shoqatave ekonomike tregojnë se fuqia blerëse në Kosovë ka shënuar rënie. Arsyet e rënies së fuqisë blerëse vlerësohet të jenë ngritja e çmimeve të konsumit si dhe punësimi i ulët.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,6 për qind në muajin tetor 2015 krahasuar me muajin shtator 2015.

Derisa, shkalla e inflacionit e matur në muajin tetor 2015 me muajin tetor 2014 ishte -0.8 për qind.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se rritja e çmimeve dhe mbajtja e nivelit të njëjtë të të ardhurave për familje, ka ndikuar në dobësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve.

Por, sipas tij, në ngritjen e çmimeve dhe më pas, uljen e fuqisë blerëse, kanë ndikuar ndryshimet e fundit të bëra në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

“Në 100 artikuj sipas të dhënave minimumi 8 deri në 12 artikuj janë liruar nga aplikimi i TVSH-së së përshkallëzuar, derisa 92 artikujve ju ka rritur çmimi dhe kjo ka ndikuar në masë të madhe. Një familje kosovare i ka të ardhurat fikse ndërsa kërkesat apo nevojat familjare ndryshojnë dhe ato shumë herë rriten, derisa të hyrat mbeten të njëjta”, thotë Tahiri.

Profesor Tahiri thekson edhe një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar te rënia e fuqisë blerëse, siç e quan ai kursimi i domosdoshëm që po bëhet nga qytetarët për shkak të punës jostabile që kanë një numër i madh i qytetarëve.

Edhe sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, depozita e qytetarëve në bankat komerciale, vlerësohet të jetë e lartë dhe atë deri në fund të vitit të kaluar ka arritur në 2.53 miliardë euro.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat