Lufta ndaj informalitetit, tkurret objektivi i Qeverisë/ Nga 330 milionë usd të premtuara, parashikohen të shtohen vetëm 70 milionë dollarë

Ekonomi

Lufta ndaj informalitetit, tkurret objektivi i Qeverisë/ Nga 330 milionë usd të premtuara, parashikohen të shtohen vetëm 70 milionë dollarë

Nga: Gjergj Koja Më: 21 nëntor 2015 Në ora: 17:12

Ndonëse Qeveria kishte deklaruar se lufta ndaj informalitetit do të siguronte rreth 330 milionë dollarë, buxheti i shtetit për vitin 2016 ka parashikuar rreth 70 milionë dollarë, ose më pak se 25 % të pritshmërive që kishte ekzekutivi shqiptar përpara nisjes së operacionit kundër informalitetit.

Në relacionin që shoqëron pr/buxhetin për vitin e ardhshëm, Ministria e Financave ka parashikuar që lufta ndaj antinformalitetit të gjenerojë 8.9 miliard lekë të ardhura ose rreth 64 milionë euro. Nga detajimet që bëhen nga Ministria e Financave, rezulton se këto para do të dalin nga sektori i doganave dhe veçanërisht te mallrat e akcizës, ku është edhe niveli më i lartë i evazionit dhe kontrabandës.

Ministria e Financave shpjegon në dokument edhe vlerësimet që ka bërë për të arritur te shifra e dytë dhe se ku do të fokusohet:
-Se pari, mirëadministrimi i cigareve. Vlerësohet se për vitin 2016 do të importohen 3.000 ton cigare në krahasim me rreth 2.600 ton që priten për vitin 2015;

-Rritja e importeve të karburanteve me 3.4% në krahasim me vitin e kaluar, bazuar në rritjen e konsumit të karburanteve janar-shtator 2015 krahasuar me 2014 si dhe rritjen reale ekonomike për vitin 2016;
-Si dhe Tatimi mbi vlerën e shtuar, prej 2.8 miliard lekë.

Ministria e Financave sqaron në relacionin e projektbuxhetit se është ende herët që të bëhet një vlerësim mbi të ardhurat shtesë nga lufta ndaj informalitetit dhe se në parashikimin e të ardhurave për vitin 2016, nuk janë përfshirë të ardhura shtesë për zërat kryesorë të ardhurave tatimore, me përjashtim të vlerësimit rreth 1.5 miliard lek të ardhura shtesë nga TVSH e brendshme.

Disa muaj më parë, ministri i Financave Shkëlqim Cani pati deklaruar se nga lufta kundër informalitetit, buxhetit të shtetit do t’i shtoheshin 330 milionë dollarë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat