Mitrovicë: Konferencë për zhvillimin e sektorit privat

Ekonomi

Mitrovicë: Konferencë për zhvillimin e sektorit privat

Më: 20 nëntor 2015 Në ora: 17:30

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës ka organizuar të premten konferencë informuese për zhvillimin e sektorit privat në Mitrovicë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se komuna e Mitrovicës është komunë më specifike, ku shumë probleme ekonomike e politike, kanë paraqitur sfidë për zhvillimin e bizneseve në këtë komunë.

Sipas tij, ai është duke bërë maksimumin në këtë drejtim, duke arritur që gjendjen ta përmirësojë për një kohë shumë të shkurtër.

Bahtiri: Kam krijuar klimë të biznesit për kohë shumë të shkurtër

“Ju e dini se ardhja ime ka qenë për zhvillim ekonomik. Për një zhvillim ekonomik duhet pasur klimë politike dhe të sigurisë për çdo investitorë që vjen në Mitrovicë, dhe këtë klimë mendoj se për një kohë shumë të shkurtër e kam krijuar”, ka thënë Bahtiri.

Kujtim Isa, këshilltar i ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, ka potencu ar si shumë të rëndësishme krijimin e një ambienti sa më konkurues dhe më të përshtatshëm për investitorët vendorë, por edhe ndërkombëtarë.

Isa: Jemi në nivel të standardeve evropiane

“Ne po mundohemi që të funksionalizojmë një ambient sa më të sigurt të të bërit biznes. Po ashtu të mundohemi që sado pak të jemi në nivel të standardeve evropiane, dhe që produktet dhe shërbimet tona që ofrojmë nga tregu jonë dhe bizneset tona, të jenë sa më konkurruese në rajonet tjera të Evropës juglindore dhe më gjerë”, theksoi Isa.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për rajonin e Mitrovicës, Ukshin Rrecaj, tha se qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me një sërë ligjesh të reja të cilat janë aprovuar.

Rrecaj: Ligjet e aprovuara, qëllim i favoreve të të bërit biznes

“Të gjitha këto ligje të cilat qeveria e Kosovës i ka aprovuar, kanë pasur qëllim që të krijojnë kushte dhe favore të të bërit biznes”, tha Rrecaj.

Ai duke folur për faljen e borxheve të bizneseve, shuma e përgjithshme e të cilave është rreth 18 milion euro, tha se të gjitha bizneset borxhet e të cilave u falën, janë biznese të cilat kanë falimentuar.

Ndërkaq, Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për biznese dhe përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA), e ka quajtur Agjencinë të cilën ai e përfaqëson si një avokat të biznesit kosovar pranë qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, mandati i kësaj Agjencie është që të mbështesë sektorin privat ose kompanitë kosovare sa i përket të gjitha agjencive dhe institucioneve tjera qeveritare.

Mustafa: Kemi pesë fusha në mandatin tonë

“Kemi pesë fusha në mandatin tonë, që janë promovimi i investimeve ose promovimi i eksportit të produkteve kosovare jashtë kufijve të Kosovës, promovimi i turizmit kosovar, mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe mbështetja dhe bashkëfinancimi i zonave të lira ekonomike, si ato që kemi në komunën e Mitrovicës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka përmendur edhe ndihmën që ofron KIESA për kompanitë kosovare, si në identifikimin e partnerëve investues të huaj, pastaj aranzhimin e takimeve të kompanive kosovare dhe kompanive të huaja për të mundësuar partneritetin, takime me institucione të ndryshme të BE-së dhe ndërkombëtare në përgjithësi, në mënyrë që të përfitohet nga projektet e ndryshme që ka BE-ja, etj.

Në anën tjetër, Mehmet Mehmeti, pronar i Fabrikës ‘Fat-Ari’ që prodhon karroca, lopa ta dhe vegla metalike në Mitrovicë, ka apeluar tek organet doganore që sistemi doganor të bëjë përpjekje për normalizimin e raporteve mes importuesve dhe prodhuesve vendorë.

Ai ka përmendur telashet me importuesit nga Kina, ku tha se politika doganore nuk kanë qenë adekuate në mbrojtjen e prodhimeve vendore.

Mehmeti: Fakturimi jo objektiv i importuesve ka ndikuar në mbylljen e plasimit të prodhimit tonë

“Baza doganore e produkteve të importuara nga Kina ka qenë qesharake dhe vet fakti se fakturimi fiktiv dhe jo objektiv i importuesve ka ndikuar në mbylljen e mundësive të plasimit të prodhimit tonë”, sqaroi Mehmeti.

Ai ka kërkuar nga organet doganore që t’i mirëfillin detyrimet evropiane dhe ligjet doganore, në mënyrë që të mbrohen prodhuesit vendorë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat