Promovohen prodhimet e zonave të Tiranës

Ekonomi

Promovohen prodhimet e zonave të Tiranës

Më: 15 nëntor 2015 Në ora: 19:00

Petrela, Krraba dhe Bërzhita promovuan prodhimet e këtyre zonave me rastin e Festës së Çlirimit. Aldrin Dalipi, kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, falenderoi të gjithë qytetarët që kontribuojnë në ditë të tilla, duke u bërë pjesë e këtyre organizimeve dhe apeloi për solidaritet midis njëri-tjetrit.

“Uroj që bashkë të kemi momente të këndshme dhe solidariteti me njëri-tjetrin. Sot e gjithë Evropa ndodhet në një ditë të vështirë, qytetarët e bashkisë së Parisit ndodhen po ashtu në një moment shumë të vështirë, ndaj në emrin tuaj dhe në emër të Këshillit Bashkiak të Tiranës e Bashkisë së Tiranës, do të doja që së bashku të shprehnim ndjenjën e solidaritetit të gjithë atyre që janë prekur nga ky moment shumë i dhimbshëm”, deklaroi Dalipi. Sipas tij, ky mesazh është për të gjithë ne, që pasuritë tona, natyrën dhe vlerën e solidaritetit me njëri-tjetrin ta ruajmë edhe për të ardhmen”, tha Dalipi.

Ndërsa Andi Seferi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, tha se qëllimi i këtyre organizimeve është që nëpërmjet promovimit, këto zona të marrin zhvillim, si fermerët, por edhe konsumatorët që vijnë dhe blejnë këtu.

“Bashkia e Tiranës është duke konceptuar një treg të përbashkët për gjithë këto zona, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, pa pasur shumë nevojë të shkojnë nga ana tjetër e Tiranës. Duke krijuar një treg të përbashkët, gjithsecili nga fermerët do të ketë mundësi të promovojë e shesë produktet e tij”, tha nënkryetari Seferi.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se aktiviteti i organizuar për njësitë Petrelë, Bërzhitë dhe Krrabë i bashkon jo vetëm festa, por edhe çlirimi, si dhe ftoi të gjithë qytetarët që të shijojnë bukurinë e këtyre zonave sic janë “Shpella e Pëllumbasit”, kalaja e Presiopës, kalaja e Petrelës, ujëvarat e ndryshme që ndodhen në pjesën e Krrabës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat