KEDS ka investuar në rrjet mbi 55 milionë euro

Ekonomi

KEDS ka investuar në rrjet mbi 55 milionë euro

Më: 14 nëntor 2015 Në ora: 10:23

Që nga privatizimi i rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike nga ana e kompanive Çalik dhe Limak më 2013, në rrjetin e rrymës ka pasur investime të vazhdueshme. Vlera totale e investimeve ka kaluar 55 milionëshin. Zyrtarët e KEDS-it thonë se kanë rritur investimet nga viti në vit. Por njohësit e kësaj fushe thonë se furnizimi me energji nuk varet vetëm nga investimet e KEDS-it.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka treguar se deri më tani në rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji janë investuar mbi 55 milionë euro.

“Deri tash janë investuar mbi 55 milionë euro. Por, shifra e investimeve po rritet nga viti në vit. Ju e dini që kompania i mori përgjegjësitë e distribucionit në mesin e vitit 2013 dhe duhet një kohë konsolidimi. Sidoqoftë, KEDS menjëherë kishte filluar me investime. Rritja e investimeve mund të shitet vit pas viti në shifra: Në vitin 2013 janë investuar 16 milionë euro, në vitin 2014 janë investuar 18.5 milionë euro, ndërsa këtë vit vetëm deri në fund të tetorit janë kontraktuar 22.1 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit kjo sasi pritet të rritet. Pra, ne mund të konkludojmë se jemi në përputhje të plotë me planin”, tha Buzhala.

Sipas tij, kontrata e privatizimit e specifikon për të investuar në përmirësimin e rrjetit gjithë andej vendit. “Nuk ka komunë në Kosovë ku nuk kemi investuar pas privatizimit. Investimeve që u jepet prioritet janë: rritja e kualitetit të energjisë për konsumatorët, sigurimi që ata të kenë tension dhe frekuenca stabile, zvogëlimi i numrit të ndërprerjeve dhe zvogëlimi i kohëzgjatjes së tyre dhe zvogëlimi i humbjeve. Në të gjitha këto pika kyçe ka pasur përmirësime të rëndësishme dhe të dukshme”, tha zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.

Investimet të cilat bëhen në rrjet do të ndikojnë sipas tij, në rritjen e kualitetin e shërbimeve dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike. “Pra, pos mobilizimit të ekipeve të KEDS-it dhe ndryshimit të politikave pro konsumatorit, investimet ndihmojnë direkt që konsumatorët të kenë tension stabil, të kenë ndërprerje më të pakta, të rritet siguria si ajo e furnizimit me energji elektrike, ashtu edhe siguria fizike”, tha Buzhala.

Ai ka treguar se investimet të cilat po bëhen nga ana e KEDS-it janë investime sipas standardeve më të larta. Madje investimet në përçues janë të pakontaktushëm direkt nga qytetarët. ”Këto investime kanë qëllim arritjen e standardit të pranueshëm të furnizimit me energji elektrike, pasi dihet se KEDS ka trashëguar një rrjet të vjetërsuar dhe në gjendje shumë të rëndë. Pas vendosjes së këtyre standardeve, KEDS është i përkushtuar që të mos i ulë ato asnjëherë përmes rinimit të rrjetit, modernizimit të vazhdueshëm të tij dhe zgjerimit eventual, varësisht nga rritja e kërkesës”, ka deklaruar Buzhala.

Por për kundër se kanë investuar mbi 55 milionë euro, në KEDS- premtojnë se nuk do të ndalën. “Gjatë vitit 2016 KEDS planifikon të investojë në forcim të rrjetit- me fokus në vendosjen e nënstacioneve të reja të Tensionit të Ulët 20 (20)/0.4 kV, pastaj rekonstruktimin e linjave të Tensionit të Mesëm 10 (20) kV dhe atij të ulët ku shtyllat janë të dëmtuara, ku rrjeti është i vjetër dhe ku nevojitet të krijohet siguri në furnizim dhe fizike në lokalitetet e evidentuara”, premton ai.

Sipas zëdhënësit të KEDS-it vështirësi të mëdha gjatë realizimit të investimeve në rrjet kanë qenë kontestet pronësore si dhe vendimet e disa komunave që të mos vendosen njehsorët jashtë. “Fatmirësisht, problemet me komunat janë tejkaluar falë bashkëpunimit të KEDS-it dhe sot gjithçka po ecën si duhet. Sa i përket kontesteve pronësore, ato po paraqesin pengesa që po vonojnë shumë projekte. Sigurisht, gjetja e një zgjidhje më të shpejtë nga organet kompetente do të ishte e mirëseardhur si për KEDS-in, ashtu edhe për konsumatorët”, tregon zëdhënësi Viktor Buzhala.

Furnizimi me rrymë nuk varet vetëm nga investimet e KEDS-it

Ndërkaq, Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale – STRAS, Ibrahim Rexhepi ka thënë se investimet të cilat janë bërë nga ana e KEDS-it në rrjetë kanë arritur që të zvogëloj numrin e ditëve kur konsumatorët mbeten të pa furnizuar me rrymë. Por sipas tij, furnizimi i rregullt me energji elektrike, nuk varet krejtësisht nga KEDS, por edhe nga faktorët e tjerë, si mundësia prodhuese e KEK-ut, apo e importit që do të duhet të bëhet nga KOSTT-i.

“Pa marrë parasysh faktorët anësor, me investime rritet fuqia bartëse e rrjetit. Kjo do të thotë se më shumë energji mund të përcillet në rrjet, se kjo nuk do të paraqet problem teknik, apo ngarkesë për rrjetin, prandaj edhe konsumatorët do të jenë më mirë të furnizuar. Koston, në fund e paguan konsumatori. Mendoj se KEDS-i, por edhe ZRRE-ja nuk janë të interesuar që duke u arsyetuar me investimet e bëra, çmimin e energjisë ta ngritin deri në nivelin e pamundësisë së pagesës nga konsumatorët”, ka thënën Rexhepi.

Ndikime te çmimi i energjisë elektrike, kanë edhe humbjet komerciale. “Prandaj, pagesa e rregullt e energjisë elektrike do të ndikoj në stabilitetin financiar të kompanisë dhe i krijon mundësi ZRRE-së që të jetë më e kujdesshme me rastin e shqyrtimit të kërkesave të operatorëve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë drejtori i STRAS-it Ibrahim Rexhepi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat