Kreditë joperformuese në nivelin më të ultë në rajon

Ekonomi

Kreditë joperformuese në nivelin më të ultë në rajon

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 09:58

Aktualisht vlera e tyre është rreth 140 milionë euro, apo rreth 7.1 për qind në portofolin e përgjithshëm të kredive. Kështu thotë për radio Kosovën drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Balija.

Ndonëse kreditimi në Kosovë ka shënuar rritje gjatë këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, kreditë joperformuese, që njihen si kredi të këqija që nuk kthehen me kohë nga kredimarrësit, kanë shënuar rënie. Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija theksoi për Radio Kosovën se aktualisht niveli i kredive joperformuese në Kosovë është më i ulëti në rajon.

“Për momentin është 7.1 për qind në portofolin e përgjithshëm kreditor të Kosovës. Në vlerë absolute rreth 140 milionë euro janë kredi joperformuese në portofolin aktual”, thotë Balija.
Balija thotë se rënia e nivelit të kredive joperformuese është si rezultat i angazhimit të të dy palëve që janë të përfshira në këtë proces.

“Është edhe kujdesi i qytetarëve dhe bizneseve që janë të rregullt në kthimin e kredive sigurisht, por është edhe menaxhimi i portofolit kreditor nga bankat, të cilat janë duke bërë selektimin e kreditorëve të mirë dhe duke u munduar t’iu ofrojnë kredi sa më shumë atyre që kanë kapacitete që t’i kthejnë”, thekson ai.
Afaristi Ramiz Kelmendi thotë se për shkak të kamatave të larta që kanë qenë deri tani, për disa afaristë mund të paraqet problem kthimi i kredive të vjetra.

“Shpeshherë ndodh që duhet me marrë një kredi për ta kthyer një kredinë e vjetër, por zakonisht janë të parapara kur afarizmi nuk shkon në trendin e duhur, të bëhet riprogramimi i kredisë së njëjtë, të shtohet greis-periudha apo rikapitalizimi i interesit të asaj kredie, në mënyrë që të mos merret kredi e re për ta kthyer kredinë e vjetër”, thotë Kelmendi.
Ndryshe, deri në gusht të këtij viti, niveli i përgjithshëm i kredive ka kaluar 2 miliardë euro, që është niveli më i lartë në periudhën e pasluftës, ndërsa normat e interesit në mesatare kanë rënë në rreth 7.9 për qind.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat