Njëmbëdhjetë kompani nga Kosova në panairin e ushqimit në Gjermani

Ekonomi

Njëmbëdhjetë kompani nga Kosova në panairin e ushqimit në Gjermani

Më: 11 tetor 2015 Në ora: 11:33

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka treguar se ka vizituar kompanitë kosovare që po prezantojnë prodhimet e tyre në Koln të Gjermanisë. Ajo ka treguar se janë njëmbëdhjetë kompani kosovare që po prezantojnë prodhimet e tyre ku po marrin pjesë mbi 90 vende me 6700 pjesëmarrës.

Me këtë rast, ajo ka premtuar se Qeveria e Kosovës po punon për lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë.

“Panairi ka karakter ndërkombëtar dhe marrin pjesë mbi 90 vende nga tërë bota me një pjesëmarrje prej mbi 6.700 pjesëmarrës (ekspozues). Prodhuesit kosovar pjesëmarrës në këtë panair do të kenë mundësinë të ekspozojnë produktet e tyre dhe të krijojnë lidhje biznesi e marrëdhënie kontraktuale me partnerë nga e mbarë bota”, ka shkruar Bajrami.

Lexojeni të plotë njoftimin e Ministres Bajrami

Dje vizitova prezantimin e produkteve të kompanive kosovare në panairin e ushqimit dhe pijeve ANUGA i cili po mbahet nga data 10-14.10.2015 ne Köln të Gjermanisë, panair ky më i madhi i këtij sektori në Evropë.
Kjo pjesëmarrje e kompanive vjen si rezultat i bashkëpunimit të kompanive prodhuese kosovare me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), donatorët: USAID, Swisscontact, UNDP si dhe Shoqatës Kosovare të Përpunuesve Pemë dhe Perime.
Kompanitë kosovare pjesëmarrëse në panair janë: Bodrumi i vjetër - Rahovec, Liri, Sole Kosova, Hit flores, Fungo FF, Golden Eagle, Frutomania, Abi Elif, Baha, Eko Wine, Winery Rahovec.
Panairi ka karakter ndërkombëtar dhe marrin pjesë mbi 90 vende nga tërë bota me një pjesëmarrje prej mbi 6.700 pjesëmarrës (ekspozues). Prodhuesit kosovar pjesëmarrës në këtë panair do të kenë mundësinë të ekspozojnë produktet e tyre dhe të krijojnë lidhje biznesi e marrëdhënie kontraktuale me partnerë nga e mbarë bota.
Gjithashtu dje, e shoqëruar nga konzulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt, Astrit Zemaj patëm një takim me Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani, union ky i themeluar para dy viteve, me rreth 200 anëtarë.
Kryetari i Unionit z. Nazmi Viça na tregoi se qëllimi i kësaj shoqate është bashkimi i bizneseve shqiptare në Gjermani si dhe fuqizimi i tyre. Ai bëri të ditur se anëtarësimi rreth këtij Unioni po rritet gjithnjë e më shumë dhe ndihma që japin për vendin e tyre të lindjes vazhdon në mënyra të ndryshme.
Përfaqësuesit e bizneseve i njoftuam se po ndryshon ambienti i biznesit. Kemi rifunksionalizuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE) i cili paraqet një platformë të rëndësishme për dialogun publiko-privat dhe për adresimin e barrierave dhe sfidave të bizneseve. Ju treguam se Qeveria po merret shume seriozisht me të gjitha barrierat dhe kërkesat e bizneseve, të cilat pastaj po i adresojmë tek mekanizmat përkatës në kuadër të këtij Këshilli”
Një nga lehtësirat që po i krijon Qeveria për biznese është edhe implementimi i pakos së re fiskale, e cila ka hyrë në fuqi që nga 1 shtatori i këtij viti dhe se tashmë bizneset kanë filluar t’i ndjejnë efektet e saj. Ajo njëkohësisht bëri të ditur se është në finalizim udhëzimi administrativ për pushime tatimore, ku bizneset e caktuara do të lirohen nga tatimi në fitim gjatë investimeve.
Njëherit i informuam se tashmë e kemi hartuar një draft-ligj për investime strategjike, i cili do të përcaktojë fushat e zhvillimit strategjik të Kosovës, që do të thjeshtojë procedurat për investime dhe njëkohësisht do të mundësojë negocimin e drejtëpërdrejtë me investitorë strategjikë për të sjellë investime të reja në Kosovë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia për Promovim të Investimeve do të jenë gjithmonë një derë e hapur dhe do të vazhdojnë të luajnë rolin avokues për të gjitha bizneset.
Përfaqësues të bizneseve kërkuan nga ne që institucionet e vendit të krijojnë infrastrukturë ligjore që ua bën më të lehtë zhvillimin e procedurave për investime dhe që ofron mbrojtjen e investimeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat