10.4 milionë dollarë dëmi fiskal nga bisnesi i madh

Ekonomi

10.4 milionë dollarë dëmi fiskal nga bisnesi i madh

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 16:02

Edhe pse operacioni kundër informalitetit, ku është angazhuar pjesa më e madhe e qeverisë shqiptare, ka qenë një nismë e mirëpritur nga publiku, nuk kanë munguar kritikat se ky operacion, të paktën në fazën e tij të parë, është duke u përqendruar kryesisht tek biznesi i vogël. Ndërkohë që sipërmarrësit e mëdhenj duket se mbeten të paprekur, edhe pse dëmi fiskal i shkaktuar nga këta të fundit është miliona dollarë.

Një raport paraprak konfidencial, i siguruar nga Televizioni Klan, ka përllogaritur se më shumë se 10.4 milionë dollarë është dëmi fiskal në buxhetin e shtetit, vetëm nga disa shoqëri tregtare të mëdha që operojnë në fushën e energjisë, ndërtimit artikujve të mineraleve dhe në fushën e lojrave të fatit.

Kështu, dëmi fiskal i shkaktuar vetëm nga shoqëritë tregtare, të cilat operojnë në fushën e energjisë, është me vlerë 2.4 milionë dollarë.

Shoqëritë tregtare, të cilat operojnë në fushën e lojrave të fatit dhe në fushën e ndërtimit kanë shkaktuar një dëm fiskal me vlerë mbi 5 milionë dollarë secila.

Ndërsa shoqëritë tregtarë të cilat operojnë në fushën e artikujve të mineraleve, kanë shkaktuar një dëm fiskal në vlerën mbi 1.5 milionë dollarë.

Javën që shkoi, Ministria e Financave lajmëroi nisjen e aksionit në 46 bisnese VIP, të cilat u përzgjodhën për kontroll nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas analizës së bërë mbi bazë risku.

Aksioni i nisur në këto kompani të mëdha, përfshin të gjithë sektorët. Duket se do të jenë pikërisht këto kategori të sipërmarrjes së madhe, që do të vazhdojnë të shënjestrohen nga grupet e kontrollit tatimor, duke shënjuar kështu një kthesë në operacionin e ndërmarrë me kaq bujë nga qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama.

Pas kontrollit në 46 bizneset VIP, rezultatet e të cilave pritet të bëhen publike në fund të Tetorit, Ministria e Financave do të kontrollojë më pas 3000 të tjerë. Ndërsa në total bizneset e mëdha VIP, që pritet të kalojnë në sitën e tatimorëve, janë rreth 30 mijë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat