Qeveritarët injorojnë kërkesat e qumështarëve

Ekonomi

Qeveritarët injorojnë kërkesat e qumështarëve

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 10:59

Qumështarët në Kosovë, përfshirë prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, vazhdon të ballafaqohet me probleme të ndryshme dhe me pakënaqësi me politikën qeveritare që e ngufat veprimtarinë e tyre.

Edhe pse qumështarët i marrin me rezervë konsiderojnë se dy iniciativa që kohëve të fundit po përmenden nga pushtetarët mund të jenë si pikënisje të mira për të filluar stabilizimi në sektorin e qumështit në Kosovë.

Fjala është për vendosjen e akcizës në importin e produkteve të qumështit me yndyrë nga origjina bimore dhe vendosjen e një takse fikse sezonale për prodhuesit e qumështit.

Këto dy iniciativa kanë shkuar në adresë të Qeverisë së Kosovës si kërkesa të Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik.

Qumështarët thonë se nuk janë brengë e tyre vetëm produktet e qumështit me yndyrë bimore, por edhe ato që shiten si produkte të qumështit dhe nuk përmbajnë qumësht fare.

Këto produkte, sipas qumështarëve, ende vazhdojnë të shitën lirshëm në tregun e Kosovës. Ato janë produkte të dyshimta për shëndetin e konsumatorit, ndërsa për shkak të çmimeve të tyre po i shkaktojnë dëm të madh industrisë vendore të qumështit.

“Këtu kemi një dallim që nganjëherë edhe anëtarët e grupeve parlamentare dhe personat përgjegjës të Ministrisë së Tregtisë me vështirësi po e kuptojnë këtë fakt. Ata po mendojnë që janë produkte të qumështit që kanë një përqindje të yndyrave bimore, mirëpo nuk po donë ta pranojnë një fakt se ka produkte që nuk kanë qumësht fare, të cilat shiten si produkte të qumështit”, ka thënë për KosovaLive, kryetari i Shoqatës së përpunueseve të qumështit, Ramadan Memaj.
Ai ka theksuar se disa herë i kanë ngritur shqetësimet e tyre edhe me anë të protestave, por shprehet se ato nuk kanë gjetur afrimin e merituar nga ana e institucioneve sa i përket rëndësisë që e kanë, për shkak se “po paragjykohet arsyeja se pse ne po e potencojmë që ato produkte nuk janë të sigurta për konsum dhe po mendojnë që ne po krijojmë problem vetëm për të zgjidhur problemet tona”.

“Nuk është qëllimi jonë vetëm aty, ne dëshirojmë të jemi transparent. Ne po ngrisim shqetësimet tona që janë shumë serioze, se pavarësisht problemeve të shumta të sektorit të qumështit, do të zgjidhen apo jo, çështja e sigurisë së produkteve duhet të jetë imediate”, ka thënë ai.

Kryetari i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, Muhamet Mustafa, në mbledhjen e së martës së këtij komisioni ka thënë se rekomandohet që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) të marrë masat e nevojshëm për një mbrojtje sezonale të qumështit dhe produkteve të qumështit në periudhën 1 prill – 31 korrik, apo një 1 maj deri në fund të gushtit. Ai ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të përmirësimit të kushteve të fermerëve vendorë.
“Duke vendosur një taks fikse sezonale, do të siguronte një konkurrencë të barabartë industrisë së vendit dhe prodhimeve nga importi”, ka thënë Mustafa.

Mirëpo, këto konstatime i ka kundërshtuar Ramadan Memaj, duke thënë se problemet e industrisë së qumështit nuk janë sezonale, por se ballafaqohen gjatë tërë vitit.

“Është gabim i madh të mendohet se problemet e sektorit të qumështit janë sezonale. Ne do të presim çka do të ndodhë, nëse nuk ndërmerret diçka nuk mund të pajtohemi aq lehtë që të shkatërrohet sektori. Kemi reduktim të sasisë së qumështit, kemi mbyllje të fermave. Kjo është shqetësuese, ku pasojat po ndihen, ka dhjetëra ferma të mbyllura, fermerët po shesin lopët. Shpresojmë që mos të jemi në atë gjendje që Qeveria e Kosovës ta sheh si pozitive mbylljen e fermave në mënyrë që të zgjidhet problemi”, ka potencuar Memaj.

Memaj ka reaguar edhe lidhur me deklaratat e anëtarit të Komisionit për zhvillim ekonomik, Besim Beqaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili nuk është pajtuar për rritjen e akcizës dhe taksat sezonale. Beqaj ka theksuar se ka mundësi që taksa fikse gjithmonë është në kundërshtime të mirëqenies së qytetarëve, duke theksuar se kjo çështje duhet edhe njëherë të trajtohet, pasi që ajo është kërkesë e Shoqatës së qumështarëve.

“Nuk mund ta kuptoj që ish-ministri i Financave, Besim Beqaj, i cili del kundër kësaj me një lloj paragjykimi se ky është një presion i shoqatave. Kjo duhet të shihet pozitive për vet shtetin e Kosovës. Në qoftë se dëshirojmë të kemi prodhim vendor, prodhime të sigurta e hapje të vendeve të reja të punës në këtë krizë, argumentimi i problemeve që i kemi adresuar duhet të jetë i mirëpritur nga Qeveria e jo të gjinden arsye për t’u refuzuar. Nuk e di kujt i konvenon mos-zhvillimi, degradimi ose shkatërrimi i sektorit më të madh në Kosovë”, ka pohuar Memaj.

Kërkesat, sipas tij, janë të ligjshme dhe të argumentuara, ku ka shkelje të ligjit e rrezikshmëri të shëndetit të qytetarëve. Sipas tij, Kosova nuk mund të shndërrohet në një vend që nuk ka asnjë lloj kufizimi të importeve, por kanë kërkuar që të krijohet një komision i përbashkët, i cili do ta përcjellë gjendjen në vazhdimësi.

“Nuk po kërkojmë favore të paligjshme, por vetëm atë që e kanë bërë vendet tjera edhe para 50 viteve. Ne jemi industri e re dhe nuk mund të krahasohemi me ndonjë kompani gjigande nga jashtë, e cila është në gjendje të sjell produkte dhe të bllokojë industrinë e qumështit në Kosovë. Kjo nuk mund të lejohet që të bëhet. Ka forma të ndryshme për stimulime, por vetëm mungon vullneti dhe guximi për iniciativa të ndryshimit”, ka theksuar Memaj.

Ai thotë se për fat të keq, sa i përket mbrojtjes së prodhimit vendor, asnjë lloj mase nuk është ndërmarr, të cilën ai e quan absurde, sepse po injorohen prodhuesit vendorë. Memaj ka bërë të ditur se nëse nuk ndërmerren masat e duhura do të vazhdojnë me shprehjen e pakënaqësive me anë të protestave.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë ditë më parë për KosovaLive se duhet të avancohet dialogu konstruktiv në relacion të institucioneve të Kosovës, faktori ndërkombëtar dhe prodhues, ndërsa rekomandimet e shoqatës të analizohen mirë.

“Nëse ka argumente në kërkesat e tyre, ato të zgjidhen me gjakftohtësi dhe seriozitet, sepse ata kërkojnë vetëm barazi në treg, nuk janë që dëshirojnë të kemi monopol dhe mbi të gjitha janë të orientuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga produkte të dyshimta. Prandaj zgjidhja e vetme e një situate të tillë të krijuara është një dialog dhe partneritet konstruktiv”, ka thënë ai.

Sa i përket përpunimit të qumështit, në Kosovë llogaritet që brenda dite përpunohen 150 deri në 160 mijë litra.
Rikujtojmë se subvencionet në vendet e rajonit dhe vendet e tjera janë më të mëdha se në Kosovë dhe kjo ë bënë që forca konkurruese e produkteve të haja të jetë më e madhe se sa e prodhimeve të Kosovës.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës i ka marrë disa veprime simbolike vitin e kaluar duke sjellë vendimin për ndalimin e produkteve të 5 fabrikave të vendeve të rajonit, të cilat kanë bërë deklarim të rrejshëm të prodhimeve, prej tyre 2 kompani nga Hungaria, 2 nga Bullgaria dhe një nga Maqedonia.

Por, kryetari i Shoqatës së përpunuesve të qumështit, Ramadan Memaj, ka ngritur shqetësimin se edhe përkundër këtij vendimi, produkte të tilla nuk janë tërhequr nga tregu, nuk janë ndaluar që të importohen në Kosovë, por kanë vazhduar lirshëm të importohen dhe të shiten në tregun e Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat