Hyrje në tregun gjerman të punës në mënyrë profesionale (Foto)

Ekonomi

Hyrje në tregun gjerman të punës në mënyrë profesionale (Foto)

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 12:31

InterPersonnel është një kompani shqiptare, që është në partneritet me një kompani gjermane të njohur në tregun ndërkombëtar të punësimit dhe kualifikimit, DEKRA Akademie. Administratorët e InterPersonnel-it i kanë kontaktet me palën gjermane prej më shumë se një viti përmes filialit në Hungari. Aktualisht fokusi është tregu gjerman i punës, por në të ardhmen partneriteti do të zgjerohet dhe në shtete të tjera, si Austri, Zvicër, Angli, Vendet e Ulëta etj.
Gjatë muajve të verës InterPersonnel-i bëri testimet e para, ku rezultoi se kërkesat për punësim në Gjermani në sektorin e infermierisë ishin tej parashikimeve. Mes komunikimit online u evidentua se interesimi ishte nga të gjitha rajonet e vendit. Deri më 1 shtator aplikuan rreth 1360 kandidatë, prej të cilëve në kooperim me DEKRA-n u bë përzgjedhja e rreth 400 kandidatëve. Bazuar në module bashkëkohore intervistimi u arrit te një listë fituese me 204 vetë, të cilët përbëjnë kontigjentin e parë që po trajnohet. Ka dhe një planifikim rekrutimi shtesë në tre faza edhe për 180 vetë.
Duke përdorur ndërtesën e një ish-universiteti privat në periferi të Tiranës, kursantët janë në kushte optimale për të realizuar kurikulën trajnuese, për gjuhën gjermane dhe aftësitë profesionale në një afat 12 muaj. Programi është ndërtuar bazuar në kërkesat e tregut gjerman të infermierisë, për të ngushtuar diferencat që ka përgatitja dhe kualifikimi i tyre në Shqipëri.


Dr. Musa Ahmeti, administrator i InterPersonnel

"Pas një viti çdo frekuentues përballet me testimet dhe kur kapen nivelet e kërkuara të njohurive ata konsiderohen të gatshëm për të shkruar në Gjermani. Në këtë fazë përgatitet dokumentacioni për lejet e qëndrimit, të punës dhe lëvizjes së lirë, kjo e fundit e përhershme. Kandidatit i ofrohen opicione për landin apo për institucionin shëndetësor ku do të punojë, sipas aftësive profesionale që kanë fituar dhe profilit, si p.sh., pediatri, kirurgji, reaminacion etj. Kandidati që finalizon këtë cikël kualifikimi ka të siguruar një periudhë 2 vjeçare punësimi dhe kjo është e detyrueshme" - shprehet për Deutsche Welle-n dr. Musa Ahmeti, administrator i InterPersonnel.
Dr. Etleva Lala, e cila koordinon bahkëpunimin me DEKRA-n, thotë për Deutsche Welle-n se ajo që ka nisur të zbatohet në Shqipëri është testuar më parë në vende të tjera. "Jemi me fat që do të implementojmë një paketë të gatshme, e cila është e provuar në Hungari, Poloni, Rumani e Greqi, ndërsa për vendet aspirante në BE ajo është testuar në Serbi. Pra, kompania është e familjarizuar me risqet, problematikën që del përpara, qoftë nga ana administrative, buxhetore, qoftë dhe të dokumentave që nevojiten për standardizimin e diplomave apo nivelin e njohurive që duhen në Gjermani".


Dr. Etleva Lala, koordinatore e bahkëpunimit me DEKRA

Kemi garanci se jemi në vendin e duhur

Ledio Çarçiu, 22 vjeçar, studion në vitin e dytë Master në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë. Për një kohë të gjatë ai ka ndjekur procedurat për punësim në Suedi, por pa pasur rezultatin e pritshëm. Tani ai është investuar për ta ushtruar profesionin në Gjermani. Kjo skemë trajnimi më duket më thjeshtë dhe më e kapshme, tregon ai për Deutsche Welle-n.
"Sapo hyra në kontakt me InterPersonnel-in mu duk një ide brilante. Unë dua të ndjek rrugën legale të punësimit jashtë vendit. Gjermania është një destinacion që e dëshiron gjithëkush. Këto 12 muaj kam rast që të marr bazat e gjermanishtes, kjo do të jetë favor për të siguruar sa më parë një vend pune atje. E di që gjërat nuk janë të thjeshta, por unë jam i vendosur. Jam brenda profesionit që kam zgjedhur dhe besoj se do të jap maksimumin".


Ledio Çarçiu, Student në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë

Ila një 30 vjeçare me origjinë nga Kukësi, prej 8 viteve është infermiere në Qendrën e Traumës në kryeqytet. Për profesionin jam e sigurtë që do të kem rezultate të larta, por më shumë më duhet për gjermanishten, se jam fillestare, thotë ajo për Deutsche Welle-n. "Sot jemi ne një realitet kur emigrimi është mjaft problematik. Përmes këtij kualifikimi unë dhe kolegët e mi kemi sigurinë se në mes është shteti. Fakti që qeveria dhe ambasada gjermane e njohin këtë veprimtari trajimi për punësim jashtë vendit është garanci se jemi në vendin e duhur. Na duhet vetëm të përballojmë provimet, për të vijuar më tej me ofertën për punë."
Puna në Gjermani vetëm përmes rrugës së ligjshme
Në një kohë që lancohen alternativa të tilla punësimi me dokumente të rregullta në Gjermani, nga autoritetet më të larta shqiptare përsëritet thirrja për të mos ndjekur rrugën e largimit nga vendi për qëllim azili, pasi kjo mënyrë nuk ka shanse. Kryeministri Edi Rama duke marrë shkas nga trajnimi i infermierëve shqiptarë, e përshkruan atë si mundësi reale, në plotësim të ëndrrës për të punuar në Gjermani, duke kaluar nëpërmjet rrugës së ligjshme. Sipas tij, kjo nuk është aq e shkurtër sa ajo e ikjes dhe kërkesës së azilit, por sidoqoftë është e vetmja rrugë e sigurt. Ndërkohë që, ajo e ikjes dhe kërkesës së azilit është një rrugë e shkurtër që të nxjerr gjatë dhe në fund të saj ka vetëm një mundësi; të kthehesh po këtu.
"Nëse shanset për të marr azil janë zero dhe nëse të gjithë benefitet financiare nuk kanë shans të shkojnë duke u rritur, por vetëm shkojnë duke u ulur drejt zeros, për të gjithë ata që e marrin rrugën, qoftë edhe për të përfituar ndonjë benefit financiar, shanset për të gjetur punësim të rregullt në Gjermani janë të pafundme. Por ka një kusht, duhet të bësh një shkollë profesionale dhe duhet të marrësh një kartë akreditimi".
Ndërkohë ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Hellmut Hoffmann shprehet për atë që e etiketon si hyrje në tregun gjerman të punës në mënyrë profesionale. "Nëse dikush do të punojë në Gjermani dhe kjo është patjetër një dëshirë e shqiptarëve atëherë ju lutem mos kërkoni azil politik pasi kjo është rruga më e keqe e mundshme, por drejtohuni këtyre projkteve të organizuara ligjore. Hyni në tregun gjerman të punës në mënyrë profesionale dhe mos iu drejtoni ambasadës për azil, por për punësim të organizuar ligjor."
Selia diplomatike e Gjermanisë në Tiranë afishon në mënyrë sistematike planet e kthimeve për në Shqipëri të azilkërkuesve në Gjermani. Sipas një komunikate të fundit nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë, vetëm brenda kësaj jave pritet të kthehen nga autoritetet gjermane rreth 400 persona, të cilëve iu është refuzuar qendrimi në këtë vend./dw

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat