Në Prizren organizohet Forumi i Biznesit

Ekonomi

Në Prizren organizohet Forumi i Biznesit

Më: 27 shtator 2015 Në ora: 16:31

Për herë të dytë, në Prizren, organizohet Forumi i Biznesit, ku pritet të marrin pjesë mbi 450 pjesëmarrës.

Pritet të diskutohen mundësitë e investimeve për Zonën Industriale të Prizrenit, që pritet të themelohet. Në kuadër të Forumit, poashtu organizohet një Panair si dhe takime B2B.

Suksesi i “Prizren Biznes Forumit” të parë të mbajtur vitin e kaluar, ka bërë që sivjet interesimi për pjesëmarrje të dyfishohet, ka thënë për Radio Kosovën, koordinatori i Projektit, Levent Bush.

“Vitin e kaluar në panair kemi pasur 61 pjesëmarrës si dhe 280 mysafirë nga jashtë vendit. Sivjet kemi 120 pjesëmarrës në panair si dhe gjithashtu kemi 350 pjesëmarrës nga rajoni i Ballkanit, Turqisë dhe Evropës. Kjo tregon se vitin e kaluar organizimi është treguar i suksesshëm, që ka rezultuar me rritjen e numrit të pjesëmarrësve këtë vit.”
Biznes Forumi i cili mbahet më 1, 2 e 3 tetor organizohet në bashkëpunim me disa shoqata të afaristëve të rajonit të Prizrenit.

Por, përderisa vitin e kaluar organizatorët kanë pasur mbështetje nga niveli qendror, përkatësisht nga Ministria e Tregtisë e Industrisë, Ministria e Financave si dhe nga Ministria e Administratës Publike, sivjet qeveria aktuale nuk ka parë të arsyeshme të ndihmojë këtë Forum, u ankua me këtë rast Bush.

“Shumë po na vjen keq që Komuna e Prizrenit nuk është duke e përkrahur këtë biznes forum, poashtu as nga niveli qendror nuk kemi pasur asnjë përkrahje. Po mendojmë se ky organizim është I nivelit të lartë përderisa marrin pjesë ministrat nga vendet e ndryshme.”
Sidoqoftë, organizatorët thanë se në hapje të Forumit janë ftuar ministra të qeverisë së Kosovës si dhe ministra nga vendet e rajonit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat