Kreditë, Banka e Shqipërisë përcakton detyrimet e bankave të nivelit të dytë

Ekonomi

Kreditë, Banka e Shqipërisë përcakton detyrimet e bankave të nivelit të dytë

Nga: Gjergj Koja Më: 2 shtator 2015 Në ora: 16:32

Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re në lidhje me çeshtjet që bankat tregtare duhet të respektojnë në kreditë konsumatore dhe hipotekare për individët.
Sipas relacionit që shoqëron ketë rregullore, kërkohet që bankat të përcaktojnë madhësinë e shkrimit që duhet të përdorin në kontratë, të cilat duhet të jenë me shkrim Times Neë Roman, me madhësi 10, në formë dhe terminologji të qartë e të kuptueshme për klientin.
Me rregulloren e re, kredimarrësi ruan të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata e nënshkruar e kredisë. Afati për t’u tërhequr është 14 ditë për kredinë konsumatore dhe shtatë për kredinë hipotekare.
Rregullorja e re specifikon sërish edhe penalitetet që klienti paguan në rastet e shlyerjes së kredisë para maturimit. Për kredinë konsumatore, penaliteti maksimal është 1% e detyrimit të mbetur, masë që përgjysmohet nëse shlyerja e parakohshme e kredisë bëhet në 12 muajt e fundit para maturimit. Për sa i takon kredisë hipotekare, penaliteti maksimal për shlyerje të parakohshme është 2% e vlerës së mbetur, ndërsa, nëse pagesa e parakohshme bëhet në vitin e fundit para maturimit, penaliteti nuk mund të jetë më shumë se 1%.
Në rastet kur konsumatori kërkon shlyerje të parakohshme, banka është e detyruar t’i përgjigjet me shkrim brenda shtatë ditësh, duke specifikuar dhe argumentuar qartë çdo detyrim që klienti duhet të paguajë. Sidoqoftë, dispozitat e rregullores së re do të vlejnë vetëm për kontratat e kredisë që nënshkruhen pas hyrjes së saj në fuqi, në muajin shtator ndërsa nuk do të ketë efekte prapavepruese mbi kontratat e nënshkruara më parë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat