Përshkallëzimi i TVSH-së (s’)do të ndikojë në shportën e konsumatorit

Ekonomi

Përshkallëzimi i TVSH-së (s’)do të ndikojë në shportën e konsumatorit

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 08:38

Ndryshimet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të cilat nga sot (1 shtator) aplikohen nuk pritet të ndikojnë në shportën e konsumatorit, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike. Ata kanë shprehur brengën se me këto ndryshime lirimi i çmimeve nuk do të jetë aq sa e presin dhe kanë nevojë qytetarët.

Ulje të TVSH-së do të ketë për produktet esenciale nga 16 në 8% siç janë kripa, vaji, mielli, rryma e ngrohja, etj. Ndërkaq, për produktet e tjera do të ketë rritje të TVSH-së nga 16 në 18%, që shprehur në përqindje i bie rritje e TVSH-së prej 12.5% për shumicën e produkteve tjera.

Sami Salihu, menaxher i lartë i shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në ATK, ditë më parë ka thënë për KosovaLive se Ligji i TVSH-së që pritet të hyjë në fuqi është në favor të tatimpaguesve, sepse ka rregulluar shumë nene të ligjit paraprak, i cili ka pasur dykuptimësi dhe tashmë është më i avancuar, më i qartë dhe humb dykuptimësinë e interpretimit.

“Bizneset nuk duhet t’i frikohen ndryshimeve ligjore, por duhet të jenë të kënaqur me këto ndryshime, sepse do të jenë në favor të tyre dhe do të jetë një ligj më liberal”, thotë Salihu.

Po ashtu ai ka hequr dilemat se me ndryshim të Ligjit të TVSH-së mund të ketë ngarkesë të standardit jetësor të qytetarëve, sepse siç thotë ai, nëse zbatohet norma e reduktuar nuk ka nevojë të rriten çmimet.

Mirëpo, profesori universitar i ekonomisë, Musa Limani, nuk pajtohet me ndryshimin e normës së TVSH-së, e cila sipas tij, është bërë pa ndonjë analizë paraprake në kuptimin e efekteve që do t’i ketë kjo normë.

“Nuk kam njohuri që Qeveria ka bërë një analizë, por vetëm se kanë presupozuar se do ta ngrisin normën 18% për një pjesë të prodhimeve dhe 8% për një pjesë më të vogël të konsumit, në kuptimin që ajo 8 përqindëshi prej 16 përqindëshit të zvogëlojë shpenzimet dhe në këtë mënyrë do të ngritë fuqinë blerëse. Është e kundërta për arsye se artikujt të cilët ngarkohen me 8% nuk ngrenë ndonjë peshë në shportën e konsumatorit, kurse artikujt që shkojnë me 18% ngarkojnë biznesin dhe konsumatorin. Ngritja e TVSH-së e ngritë edhe koston, gjë që vjen deri te ngritja e çmimeve”, ka thënë për KosovLive Limani.

Edhe pse qeveria thotë se këto ndryshime janë në dobi të konsumatorëve, ai thekson se është e kundërta për arsye se edhe konsumatori dhe biznesi ngarkohen me TVSH më të madhe, e cila shprehet automatikisht edhe me ngritje të çmimeve.

“Para se të fillojë zbatimi i ndryshimeve të normës së TVSH-së, bizneset e prodhuesit i ngrisin çmimet për diferencën e TVSH-së – 18 përqindëshit dhe automatikisht do të ndikojë në inflacion dhe në ngarkesën e konsumatorëve. Në këtë mënyrë do të zvogëlojë fuqinë blerëse, do të zvogëlohet shporta e jetesës, e cila shprehet në uljen e standardit dhe rritjen e problemeve sociale në Kosovë, të cilat edhe janë jashtëzakonisht të mëdha dhe reflektohen dukshëm në situatën ekonomike dhe shoqërore, e cila dominon në Kosovë”, vlerëson Limani.

Sipas tij, reformat fiskale të bëra nga Qeveria nuk mund të llogariten vetëm në ndryshimin e normës së TVSH-së, por shton se reforma duhet të bëhet rrënjësore me një analizë komplekse ekonomike, e cila analizon anët pozitive dhe negative.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime strategjike dhe sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi thotë se përshkallëzimi i TVSH-së është i mirëseardhur, nëse ai implementohet tërësisht siç është përshkruar në ligj dhe nëse kjo reflekton në uljen e çmimeve, përkatësisht ndikon në ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve.

“Por, dyshoj se kjo mund të arrihet, së paku jo në masën se sa presin qytetarët. Së pari, ata duhet të kenë të qartë se për shumë produkte nuk do të ketë rënie të madhe të çmimit, meqenëse aty ndikojnë in-putet, të cilat tash janë me normën e TVSH-së 18%, si karburantet… Mund të ketë edhe mosrespektim të ligjit, përkatësisht që pronaret ta mbajnë në nivelin e deritashëm, mirëpo, këtu duhet të reagoj ATK-ja, e cila duhet të insistoj që të zbatohet norma e ulët e TVSH-së për produktet e caktuara”, thotë ai.

Sipas tij, nuk me këto ndryshime më shumë përfitojnë bizneset, ndërsa efektet për përmirësim të standardit jetësor nuk mund të priten pasi që të hyrat tatimore parashihen të rriten në 12%.

“Si mund të ketë përmirësim të standartit jetësor, kur të hyrat tatimore rriten. Do të thotë këto tatime i paguan konsumatori”, ka nënvizuar Rexhepi.

Rexhepi habitet se si kjo pako e re fiskale aplikohet tre muaj par përfundimit të vitit fiskal.

“Një problem që do t’i lëndojë më shumë bizneset, është ajo se si kjo pako nise të implementohet tre muaj para përfundimit të vitit fiskal, apo në kohën kur duhet të përmbushën kontratat e arritura sipas standardeve të më hershme, përkatësisht sipas normave të vjetra tatimore. Është një praktikë që ndryshimet në ligjet fiskale, respektivisht paketa e re fiskale gjithmonë miratohet së bashku me ligjin për Buxhetin. Por, po veprohet në këtë mënyrë, meqenëse kjo qeveri ka nevojë për para – njëkohësisht insiston që të përmbushë disa prej premtimeve elektorale, përkatësisht ato që janë përfshirë në programin e saj të punës”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka theksuar se ATK-ja nuk ka kapacitete të mjaftueshme, bizneset nuk janë të përgatitura pasi nuk kanë pasur kohë të duhur për ri-programimin e arkave fiskale.

Njëri nga pronarët e marketit “Winix” në Prishtinë ka thënë për KosvaLive se edhe sot është duke vazhduar shitjen e mallrave pa ndryshim të normës së TVSH-së, për shkak të mos ndryshimeve të duhura të arkave fiskale.

“Askush nuk më ka njoftuar se duhet t’i bëjë ndryshimet në arkat fiskale për shkak të TVSH-së dhe. Punën jam duke e vazhdar me të vjetrën. Shpresoj që inspektorët tatimor gjatë vizitave mos të më aplikojnë ndonjë gjobë për këtë”, ka thënë ai.

Sipas në ndryshimeve të Ligjit për TVSH-në, pritet të hyjnë: Furnizimi me ujë, përveç ujit të ambalazhuar; furnizimi me energji elektrike, me ngrohje qendrore, mbledhjen e hedhurinave dhe trajtimin e mbeturinave tjera; drithërat sikurse janë elbi, misri, varietetet e misrit, tërshëra, thekra, orizi dhe gruri; prodhimet e bëra prej drithërave për qëllim të konsumit njerëzor, sikurse janë mielli, brumërat, buka dhe prodhime të ngjashme.

Po ashtu përfshihen vajrat për gatim të bërë nga drithërat, apo farërat vajore për përdorim në gatim për konsumim njerëzor; qumështi dhe produktet e qumështit me qëllim për konsumim njerëzor; kripa e përshtatshme për konsumim njerëzor; orizi për konsum; vezët për konsum; librat shkollore dhe publikimet serike; furnizimi duke përfshirë huadhënien e librave nga bibliotekat (duke përfshirë broshurat, fletëpalosjet dhe materialet e ngjashme të shtypura, librat me fotografi për fëmijë, librat për vizatim dhe ngjyrosje, librat e muzikës në formë të shtypur apo të dorëshkrimit, hartat dhe grafiqet hidrografike dhe të ngjashme); pajisjet e teknologjisë informative; furnizimi i barnave, produkteve farmaceutike, instrumenteve dhe aparateve mjekësore dhe kirurgjike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat