Kërpudha Shampinjon kultivohet në Kosovë që nga paslufta

Ekonomi

Kërpudha Shampinjon kultivohet në Kosovë që nga paslufta

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 15:17

Kosova është e pasur me lloje të ndryshme të kërpudhave të malit, mirëpo viteve të fundit kultivimi i kërpudhës shampinjon ka një trend të rritjes së vazhdueshme. Agrobiznesmeni Fatmir Krasniqi merret me kultivimin e kërpudhës shampinjon që nga viti 2000 dhe tani rreth 80% e kërpudhave të tij eksportohen pothuajse në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.

Fatmir Krasniqi nga Kamenica ka filluar të kultivojë kërpudhën shampinjon që nga viti 2000. Duke parë leverdinë ekonomike dhe kërkesën e tregut për këtë lloj kërpudhe, Agrobiznesmeni Krasniqi ka zgjeruar kapacitetet e tij prodhuese nga viti në vit.

Krasniqi për portalin “Ferma Ime” tregon se biznesi i tij ka filluar qysh nga viti 1990, fillimisht me grumbullim të kërpudhave të malit, ndërsa pas luftës, që nga viti 2000 si alternativë tjetër, ka filluar edhe me kultivimin e kërpudhave shampinjon.

Nga të gjitha llojet e kërpudhave, vetëm kërpudha shampinjon mund të kultivohet prandaj edhe shumë individ e kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Ndërsa, kultivuesi Krasniqi ka një përvojë të gjatë të punës me kërpudha.

“Ne kemi punuar gjatë me kërpudha edhe në shtetet e ndryshme evropiane si në Bullgari, Francë dhe Itali. Eksperiencën e fituar duke punuar në këto vende, e kemi sjell në Kosovë dhe kemi filluar me kultivimin e kërpudhës. Duke pas parasysh që pas luftës në Kosovë, tryeza kosovare ka pas njohuri të pakta për kërpudhën, ka qenë një mundësi e mirë që edhe në Kosovë të plasojmë kërpudhën”, thekson Krasniqi.

Në bazë të statistikave zyrtare, gjendja e tregut të kërpudhave është e mirë, sidomos shitjet që realizohen për treg ndërkombëtar (eksport).

“Duke pas parasysh një ekonomi joformale në Kosovë, kërpudhat vijnë prej shumë vendeve dhe kjo paraqet problem. Ne përveç Kosovës, jemi prezent pothuajse në gjithë Bashkimin Evropian, ku diku rreth 80% e kërpudhave tona eksportohen për këtë treg”, tregon agrobiznesmeni Krasniqi.

Planet e tij janë që të rris kapacitetet prodhuese dhe në këtë mënyrë të rritet eksporti dhe numri i të punësuarve në kompani.

“Kompania jonë është e specializuar dhe e profilizuar në lëmin e kërpudhave të malit dhe kërpudhave të kultivuara shampinjon. Përvoja jonë e gjatë 24 vjeçare në këtë lëmi na motivon që të përcjellim teknologjitë e fundit të kërpudhave dhe planifikojmë të jemi lider për këtë fushë në Kosovë”, përfundoi Krasniqi.

Sipas të dhënave zyrtare nga Doganat e Kosovës, kërpudhat kanë shënuar rritje në eksport. Në vitin 2013, Kosova ka eksportuar kërpudha prej 36,652,35 kg apo në vlera monetare ky eksport arrin vlerën e 334,374, 53 Eurove. Krahasimi i njëjtë për vitin 2014 tregon se Kosova shënon prapë rritje në eksport të kërpudhave prej 184,321,80 kg apo në vlera monetare 841,611,56. Shitjet e përgjithshme të kërpudhave kosovare në tregun e jashtëm gjatë tre viteve të fundit tejkalojnë shifrën e 1 milion e 320 mijë eurove. Ndërsa, ne edhe importojmë një sasi të konsiderueshme të kërpudhave. Vetëm në vitin 2013, Kosova ka importuar kërpudha në vlerë prej 136.174.80 Eurove.

Aspekt pozitiv i marrjes me këtë veprimtari është kërkesa e vazhdueshme e tregut për këtë produkt. Përdorimi i saj i gjerë, sidomos në kuzhinë krijon mundësitë e shumta të shitjes.
Vlen të përmendet se kultivimi i kërpudhës shampinjon kërkon një kujdes të shtuar gjatë tërë kohës, sidomos në sigurimin e ujitjes së duhur, mbajtjen e lagështisë, temperaturës, ajrosjes dhe kontroll të rregullt të objektit, duke parandaluar hyrjen e insekteve të ndryshme.

Koha e vjeljes së shampinjonit zgjatë rreth 45 ditë dhe këto kërpudha në një objekt kultivimi mund të vilen 4 deri 5 herë. Zakonisht koha midis dy vjeljeve është një javë./FermaIme

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat