Nga nesër ulet TVSH-ja, ja lista e produkteve që pësojnë ulje

Ekonomi

Nga nesër ulet TVSH-ja, ja lista e produkteve që pësojnë ulje

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 16:29

Duke filluar nga nesër, 1 shtator 2015, të gjitha produktet esenciale do të kenë një masë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në 8%, nga 16% që ishte më parë.

Me TVSH 8% do të jenë drithi, mielli dhe produktet e këtyre, çka përfshin bukën dhe prodhimet e ngjashme me të. Po ashtu, vaji për gatim, qumështi, vezët dhe kripa tatohen po në këtë masë, e cila përfaqëson një ulje të fortë.

Edhe shërbimet publike si furnizimi me ujë (por jo të ambalazhuar), energjia elektrike dhe ngrohja qendrore do të kenë TVSH vetëm në masën 8%.

Sipas pakos së re fiskale, Ligji për Tatimin e Vlerës së Shtuar do të përcakton dy norma të TVSH-së si norma standarde e TVSH-së 18 për qind dhe norma e reduktuar e TVSH-së, 8 për qind.

Kjo do të thotë se për produkte të tjera, për të cilat nuk ka ulje apo largim të TVSH-së, ky tatim do të rritet në masën 18%.

Këto ndryshime vijnë si zbatim i pakos së re fiskale (Ligjin për Tatimin e Vlerës së Shtuar, Ligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale si dhe Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave).

Qeveria e Kosovës, në përputhje me programin e saj, ka ulur TVSH-në për një sërë lëndësh të para dhe produktesh esenciale, me qëllim uljen e barrës financiare për shtresat në nevojë

Dija dhe teknologjia

Por ulje nuk përfitojnë vetëm nevojtarët, por edhe mallra dhe shërbime të një natyre tjetër.

Librat shkollorë dhe publikimet serike, librat me fotografi për fëmijë, librat e muzikës, broshura dhe fletëpalosje, madje edhe huadhënia nga bibliotekat, përfitojnë të njëjtën ulje të TVSH-së në masën 8%.

E njëjta ulje vlen edhe për teknologjinë e informacionit, çka do të thotë se TVSH-ja për produkte të IT-së si kompjuterë e pajisje të tjera, përcaktohet në masën 8%.

Lidhur me këtë pikë të fundit, qeveria e Kosovës ka arsyetuar se synohet përhapja e IT-së në Kosovë, si nevojë për përditësimin dhe progresin kombëtar në këtë drejtim, duke u klasifikuar si ndërhyrje strategjike.

Ulje në shëndetësi

Gjithashtu, furnizimi i barnave, produkteve farmaceutike, instrumenteve dhe aparateve mjekësore dhe kirurgjike përfitojnë nga kjo ulje.

Këtu bëjnë pjesë edhe pajisjet mjekësore, autoambulancat, ndihmat dhe aparatet tjera mjekësore me qëllim që të lehtësojnë ose trajtojnë paaftësinë për shfrytëzim ekskluziv të të paaftëve, duke përfshirë riparimin e këtyre mallrave.

Furnizimi i ulëseve të fëmijëve për vetura caktohet gjithashtu në masën 8% të TVSH-së.

Diskutime me biznesin

Ligji parashikon që ministri i Financave mund të nxjerrë akt nën-ligjor për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar sipas Shtojcës III të këtij ligji, ose reduktimin e listës së produkteve me normë të reduktuar.

Gjithashtu, disa akte normative shtesë nevojiten për të optimizuar zbatimin e këtij ligji.

Për këtë qëllim, Ministria e Financave mbajti javën e shkuar, një takim konsultativ me palët e interesit me temën “Zbatimi i Pakos së re Fiskale” me përfaqësues të biznesit.

“Më lejoni të ju informoj që këto tri ligje pasi që janë diskutuar me juve komitetin biznesit, ekspert të pavarur me shoqëri civile e me tjerë, janë dërguar në kuvend dhe janë miratuar, është vendos data 1 shtatorë kur këto hynë në fuqi”, tha ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Hoti përmendi 3-4 çështje që kërkojnë më shumë vëmendjen (Heqja e TVSh-së nga makineritë prodhuese, nga lëndë e parë dhe teknologjia informatike) sepse pjesa më e madhe e udhëzimeve administrative tregojnë praktikë se si implementohen këto ligje.

Për progresin e këtyre ligjeve në krahasim me ligjet e mëhershme foli përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane Ruzhdi Zeqiri, ku përmendi edhe çështjet që kanë ndikim më të madh.

Ai përmendi ndër të tjera edhe shpenzimet e bizneseve për punonjësit, si trajnimet, ushqimin dhe transportin. Shpenzimet për përfaqësim, argëtim dhe marketing, si dhe kontributet bamirëse ishin pjesë e pikave të përmendura për diskutim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat