Me pakon e re fiskale lirohet çmimi i energjisë elektrike për 8 për qind

Ekonomi

Me pakon e re fiskale lirohet çmimi i energjisë elektrike për 8 për qind

Më: 25 gusht 2015 Në ora: 16:25

Nga muaji shtator në Kosovë faturat e energjisë elektrike do të jenë më të ulëta për 8 për qind.
Me miratimin e pakos së re fiskale, Ministria e Financave ka paraparë normë të reduktuar të TVSH-së 8 për qind për energjinë elektrike. Kjo nënkupton se çmimi i energjisë elektrike, për shfrytëzuesit ose konsumatorët e energjisë elektrike, do të lirohet.

Më parë, në gjithë Kosovën aplikohej normë standarde dhe fikse e TVSH-së prej 16 për qind deri sa tani, me qëllim të zbatimit të ligjeve të reja tatimore, të gjithë operatorët obligohen të aplikojnë të gjitha ndryshimet e parapara me ligjet e reja.

“Aplikimi i normës së vjetër të TVSH-së prej 16% do të bëhet vetëm deri më 31 Gusht 2015. ATK, inkurajon të gjithë tatimpaguesit që t’i përgjigjen detyrimeve tatimore të parapara me Ligjet e reja Tatimore, në mënyrë që të mos ndërmerren masat ndëshkuese të përcaktuara me Legjislacionin Tatimor.”, thuhet në njoftimin e publikuar edhe në uebfaqen e Ministrisë së Financave.
Kohë më parë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, Kosova ishte ndër vendet me çmimin më të ulët të energjisë elektrike në Ballkan dhe Evropë.

Së fundmi, çmimi i energjisë elektrike në Serbi pësoi ngritje prej 12% deri sa në Maqedoni, rregullatori vendosi për një zvogëlim qesharak prej 0.33%.
Norma e zvogëluar e TVSH-së vlen për konsumatorët e amvisërisë, dhe këta konsumatorë janë përfitues direkt pasi që ata nuk mund të kthejnë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat