Kosova për herë të parë emeton Obligacione 5-vjeçare

Ekonomi

Kosova për herë të parë emeton Obligacione 5-vjeçare

Më: 24 gusht 2015 Në ora: 18:01

Duke qenë e përkushtuar në zhvillimin e tregut financiar dhe krijimin e mundësive të reja për investim, Ministria e Financave ka shpallur ankandin e radhës të letrave me vlerë, në formë të Obligacioneve 5 vjeçare, i cili do të mbahet me 28 gusht 2015, njoftoi sot Ministria e Financave, duke cekur se ankandi për oferta mbyllet në ora 11:00.

“Kohëzgjatjet në të cilat deri më tani është bërë emetimi kanë qenë 3 muaj, 6 muaj, 12 muaj, 2 dhe 3 vjeçare. Prandaj, ky ankand shënon edhe emetimin e parë të Obligacioneve me kohëzgjatje 5 vjeçare në historinë e tregut të letrave me vlerë në Republikën e Kosovës. Shtimi i kohëzgjatjeve të reja dëshmon për një rritje të shëndoshë të tregut të letrave me vlerë.

Shuma e letrave me vlerë për shitje në këtë ankand do të jetë 15 milionë euro, dhe mundësi për blerje do të kenë të gjithë të interesuarit, përfshirë personat privat dhe juridik. Ndërsa, qasja në ankandin e emetimit mund të bëhet përmes bankave komerciale në vend.

Blerësit e këtij Obligacioni do të kenë mundësinë që gjatë 5 viteve të ardhshme të përfitojnë kamatë të leverdishme, e cila paguhet në baza 6 mujore dhe është e liruar nga tatimi. Kurse, kthimi i shumës së investuar bëhet në fu nd të periudhës 5 vjeçare.

Shuma nominale e Letrave me Vlerë të emetuara deri më tani është 320.65 milionë euro, ndërsa përbërja e Letrave me Vlerë sipas instrumenteve është si vijon:

Bono Thesari me maturitet: 3 muaj - 10 mil. euro; 6 muaj - 38.6 mil. euro; 12 muaj - 170.1 mil. euro.

Obligacione Qeveritare me maturitet: 2 vite - 86.95 mil. euro; 3 vite - 15 mil. Euro”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat