Thatësira godet prodhimin e kafesë

Ekonomi

Thatësira godet prodhimin e kafesë

Më: 23 gusht 2015 Në ora: 23:51

Kultivuesit e kafesë kanë dhënë alarmin: Ngrohja globale, përveç dëmeve të njohura, po dëmton rëndë edhe bimët e kafesë, për shkak të temperaturave gjithnjë e në rritje dhe pakësimit të reshjeve.

Sipas ekspertëve, kjo gjë rrezikon që brenda vitit 2050 të përgjysmojë terrenet e dedikuara kulturës së kafesë së kualitetit arabik, që përfaqëson 70% të kafesë së prodhuar sot në botë.

Televizioni britanik BBC i ka kushtuar vëmendje të madhe shqetësimit planetar. Sipas tij, sot në botë pihen rreth 2 miliardë filxhanë kafeje në ditë, një ritëm që shumë shpejt nuk do të përballohet dot, si pasojë e pakësimit të burimeve.

BBC bazohet në të dhënat e marra në Amerikën Qendrore, ku në 2013-n një epidemi parazitësh e uli prodhimin me 20%, gjë që edhe kjo lidhet me ngrohjen globale, pasi thatësira po pushton gjithnjë e më shumë territore, çka ndihmon në shtimin e parazitëve që sulmojnë bimët e kafesë.

Gjatë 50 viteve të fundit, edhe Tanzania gjithashtu ka prodhuar gjithnjë e më pak kafe për hektar. Nga 500 kg, që ishte më parë vëllimi, tani prodhon vetëm 300.

Nga Meksika, Uganda e deri në Vietnam, vendet në të cilat kafeja është kultivuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve që lamë pas, bëjnë me dije se gjatë viteve të fundit bimët bëjnë më pak lule për shkak të rritjes së temperaturave dhe se, edhe ato që lulëzojnë bien para se të shndërrohen në kokrrën e kafesë, për shkak të një klime më të thatë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat