Kredidhënia, ja bankat më aktive

Ekonomi

Kredidhënia, ja bankat më aktive

Më: 20 gusht 2015 Në ora: 10:23

BKT, Raiffeisen, Credins, NBG dhe Union Bank kanë qenë bankat më aktive në kreditimin e ekonomisë në gjysmën e parë të këtij viti, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave.

BKT ka shënuar rritjen më të madhe të stokut të huas me 8.3 miliardë lekë, apo 7.3%.

E dyta me rritjen më të lartë është Raiffesin, e ndjekur nga Credins, me rreth 4.3 miliardë lekë shtesë secila.

NBG, Union Bank dhe Veneto vijojnë listën e bankave që kanë qenë aktive në huadhënie në gjashtë muajt e parë të 2015-s.
Në total, stoku i huas për ekonominë është rritur me 1.5% në qershor, në raport me dhjetorin 2014, si rrjedhojë e uljes së stokut nga bankat e tjera, kryesisht ato me kapital grek, Tirana Bank dhe Alpha Bank. Tkurrje të ndjeshme të portofolit ka shënuar dhe Credit Agricole, që u ble së fundmi nga fondi i Investimeve NCH Capital.

Societe Grenerale dhe Intesa Sanpaolo, që në 2013 dhe pjesën e parë të 2014-s udhëhoqën rritjen e huas për ekonominë janë shfaqur të tërhequra muajt e fundit.

“Rikthimi” i Raiffeisen

Gjysma e parë e vitit 2015 ka sjellë një zhvillim pozitiv për Bankën Raiffeisen, të dytën më të madhe në vend. Ajo i është rikthyer rritjes së kreditimit dhe aktiveve pas më se tre vitesh tërheqjeje. Stoku i kredisë së bankës u rrit me 4.4 miliardë lekë, apo 3.5% në qershor 2015, në krahasim me dhjetorin.

Në vitin 2014, Raiffeisen uli aktivet me 5.3% dhe stokun e huas me 2% me bazë vjetore. Në 2013-n, rënia përkatëse ishte 8.4 dhe 5.2%. Tkurrja e Raiffeisen kishte filluar që në vitin 2012, në përgjigje të strategjisë së mëmës në Vjenë për të ulur ekspozimin në të gjithë Europën Lindore e Juglindore.

Raiffeisen pothuajse e ndërpreu kredinë, u tërhoq nga investimi në letrat me vlerë të qeverisë dhe dekurajoi depozitat përmes normave tepër të ulëta të interesit. Si banka më e madhe në vend, kjo sjellje dha ndikim të ndjeshëm në gjithë sistemin bankar shqiptare, si në kreditim, ashtu dhe në financimin e borxhit të qeverisë, duke e vënë në vështirësi këtë të fundit.

Raiffeisen humbi në 2014-n dhe kryesimin si banka më e madhe në vend për nga aktivet, duke ia lënë stafetën BKT-së./Monitor

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat