Trepça në gjendje të rëndë financiare – Menaxhmeti shkel vendimet e Bordit të AKP-së

Ekonomi

Trepça në gjendje të rëndë financiare – Menaxhmeti shkel vendimet e Bordit të AKP-së

Më: 19 gusht 2015 Në ora: 13:27

Më 29 shtator 2011 Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i kishte lejuar Trepçës, (ndërmarrje nën menaxhim të AKP-së) që të shpall tender për shitjen e mbeturinave industriale, me ç’rast ishte marrë vendim që parat e fituara nga shitja e këtyre mbeturinave të kalojnë në një xhirollogari të veçantë, ku çdo propozim për përdorimin e mjeteve fillimisht duhet të aprovohet nga Bordi i AKP-së.

Njësia e Mediave dhe Marrëdhënieve me Publikun ka dhënë përgjigje për këtë çështje, duke treguar me këtë rast se ndërmarrja Trepça e drejtuar nga Ahmet Tmava ka përdorur paratë e fondit 1.5 milionësh, ku nga to ka marrë 1 milion e 70 mijë euro, e të cilat sipas vendimit të Bordit të AKP-së nuk kanë mundur të përdoren pa miratimin e Bordit, i cili tash nuk ka asnjë anëtar dhe për pasojë s’mund të merren as vendime.

“Llogaria bankare (1707001012129536 në bankën komerciale NLB) është në pronësi të ndërmarrjes Trepça. Nga raporti i rregullt që kemi pranuar nga Banka (NLB Bank), AKP ka konstatuar se ndërmarrja Trepça me datë 08 korrik dhe 7 gusht 2015 ka bërë dy transfere të brendshme të shumave financiare prej: 760,000.00 euro dhe 310,000 euro – për realizimin e pagave të punëtorëve. Kjo shumë e mjeteve financiare është huazuar nga Trepça dhe ndërmarrja Trepça është e obliguar që të bëj kthimin e tyre në momentin e parë pas realizimit të pagesave nga blerësi i koncentratit të plumbit dhe zinkut. Asnjë autorizim me shkrim nuk ka pasur nga Zëvendësdrejtori i AKP-së lidhur me këto transfere të brendshme të Trepçës dhe as që ka pasur kërkesë me shkrim nga Trepça për lejimin e përdorimit të këtyre fondeve.
Megjithatë, është e qartë se nëse punëtorët e Trepçës nuk do të pranonin pagat e rregullta, atëherë do të rrezikohej mbarëvajtja e punëve në Trepçë e ndoshta edhe greva apo protesta e punëtorëve. Ndërmarrja nuk ka pasur mjete tjera financiare prej nga do të mund të ekzekutoheshin pagat.”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Veriu.info.

Kjo mbështetet në faktin e bërë publik nga vet AKP-ja, pasi që del se këto mjete janë huazuar në mënyrë arbitrare nga Trepça, ku tregohet në vazhdim se për këtë nuk ka pasur asnjë autorizim me shkrim nga Zëvendësdrejtori i AKP-së (v.j. Avni Jashari, personi më i lartë në hierarkin e AKP-së, pasi që s’ka drejtor për momentin).

Po ashtu thuhet se këto para do të kthehet kur të shitet plumbi dhe zinku, e që sipas informatave të sigurta, kontrata e nënshkruar për këtë para dy muajsh është në prag të dështimit, pasi që kompania e cila e ka lidhur kontratën nuk po arrin ta paguaj garancionin prej 1 milion euro, e që për pasojë nuk po mund të shitet zinku e plumbi prej disa muajsh.

Me këtë rast AKP tregon se Trepça , e udhëhequr nga menaxheri Ahmet Tmava gjendet në krizë të madhe financiare, pasi që nuk ka para për t’i paguar punëtorët, përveç këtyre të shfrytëzuara nga fondi i veçantë, gjë që rrezikon mbarëvajtjen e punëve, grevat dhe protestat e punëtorëve.

“Prandaj, mjetet e Trepçës të destinuara për investime kapitale janë përdorur përkohësisht nga Trepça për pagat e punëtorëve dhe rrjedhimisht nuk ka pasur asnjë abuzim të këtyre fondeve nga Trepça “, thotë AKP, gjë që është në kundërshtim me aktet ligjore që rregullojnë menaxhimin e financave publike në Kosovës.

“Duke e ditur se organi i vetëm kompetent për miratimin e shfrytëzimit të këtyre mjeteve (apo refuzimin e përdorimit të tyre) është vetëm Bordi i Drejtorëve të AKP, Trepça nuk ka mundur të kërkoj miratim nga Menaxhmenti i AKP-së, pasi që Menaxhmenti nuk ka mundur të miratoj/refuzoj shfrytëzimin e mjeteve në fjalë”, thotë AKP e drejtuar nga Avni Jashari, por harron se mungesa e Bordit ka bërë që ish-punëtorëve të fabrikës së Tubave dhe Çelikut nga Ferizaj të mos u paguhen ende 26 milionë euro, të fituara si dëmshpërblim përmes gjykatës.

Më tej në përgjigje AKP mundohet të arsyetoj gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalon Trepça, duke thënë se kjo ndërmarrje ka huazuar këto mjete për shkak të gjendjes së rëndë financiare e cila ka qenë e shkaktuar nga mos licencimi i minierave të cilat janë burimi i vetëm i të hyrave për Ndërmarrjen.

“Përfundimisht, mekanizmat për të kthyer mjetet e huazuara për paga të punëtorëve funksionojnë, pasi që bazë garantuese për kthimin e huazimit janë stoqet aktuale të koncentratit të Pb dhe Zn që paraqesin shumëfishin e shumës së huazuar”, thuhet në përgjigje, e kur tash po dihet se Trepça nuk po mund t’i shet stoqet e saj, si mund ta bëjë këtë AKP nëse i merr si kompensim.

Në lidhje me çështjen e huazimit të mjeteve, menaxhmenti i Trepçës me në krye Ahmet Tmavën ka bërë edhe një shkelje, pasi në një interpretim të AKP-së për kompetencat e Trepçës i datës 21 mars 2012 thuhet që Trepça nuk mund të merr asnjë hua pa miratimin paraprak të AKP-së.

Në faqen dy të këtij interpretimi tregohen transaksionet që nuk mund të ndërmerren pa miratimin paraprak të AKP-së, ku në pikën 4 thuhet se Trepça nuk mund të arrij asnjë marrëveshje për hua pa miratimin e AKP-së, gjë të cilën e ka bërë me këtë rast.

Analisti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, i pyetur se a është bërë shkelje me rastin e përdorimit të këtyre mjeteve nga Trepça pa marrjen e aprovimit të Bordit të AKP-së?, thotë se ka shkelje.

“Është interesant se as AKP-ja në asnjë moment nuk flet për shpenzimin e parasë jashtë destnimit, por për një huazim, do të thotë se paratë duhet të kthehen në një moment kur Trepça të ketë mundësi. Pra, është lënë mundësia për kompensimin e parasë dhe për përmirësimin e “gabimit” që ka ndodhur”.

Rexhepi këtë çështje e quan mjaftë paradoksale. “Kjo çështje ka shumë paradokse! A duhet pritur vendimin e një Bordi, i cli për vitet të tëra nuk ekziston? Apo duhet opritur lejen e një agjencioni, i cili aktualisht është i paralizuar dhe gati inekzistent? Pra, ka shumë paligjshmëri dhe zhvillime të palogjikshme, të cilat në fund të fundit, ndërlidhen me papërgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës, të cilët nuk kanë bërë asnjë veprim që kjo agjenci të kryej funksionin e vet”.

“Prandaj, sado që problem ka ndodhur për shkak të veprimeve të paautorizuara të menaxhmentit të Trepçës, megjithatë, a është dashur të lihen punëtorët pa paga, kurse paratë të qëndrojnë të pashfrytëzuara në konto? A është dashur që paratë të ruhen për investime kapitale, ndërsa ka munguar qëllimi i investimeve, pasi që edhe ato është dashur t’i lejoj Bordi i AKP-së. Së fundit vijnë edhe humbjet nga mungesa e licencës, e cila, sërish ka ndodhur për shkak së KPMM-ja nuk ka pasur Bord. Për këtë arsye, unë problemin më shumë e shoh si veprim i parregullt, por që ka qenë i detyruar nga paraliza institucioneve në të cilën gjinden disa institucione të vendit”, thotë Rexhepi për Veriu.info

Sa i përket gjendjes financiare të Trepçës, ku po rrezikohen edhe rrogat e punëtorëve pasi që Trepça në jug nuk po mund të shes koncentratin, ndërsa Trepça në veri ka lidh sivjet kontratë mbi 20 milionë euro për shitjen e koncentratit, Ibrahim Rexhepi thotë: ” Sërish paradokset tona. Kjo mënyrë e funksionimit ët Trepçës reflekton gjendjen e përgjithshme në të cilin është vendi. Në një pjesë të tij mbretëron paralizim i heshtur i institucioneve, ndërsa në veri mbretëron paligjshmëria, së paku kur kemi të bëjmë me ligjit e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
Madje, ky paralizim vërehet edhe kur është në pyetje ndryshimi i statusit pronësor të Trepçës, si edhe hartimi i strategjisë për të, obligim të cilën e ka marrë Qeveria e Kosovës. Deri më tani nuk ka bërë asgjë, prandaj, vazhdon keqmenaxhimi i detyrueshëm i Trepçës, si edhe shitja e pasurisë (prodhimeve ) të saja, pa pasur të qarta raportet kontraktuale, e as për mënyrën se si shpenzohen këto para”.

Në anën tjetër, analisti i çështjeve ekonomike nga Instituti GAP, Berat Thaçi, thotë se paaftësia e Trepçës në jug për të paguar pagat e punëtorëve, sigurisht se tregon për një gjendje të keqe financiare të kësaj ndërmarrje.

“Sa i përket ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, sipas Nenit 30 të këtij një organizatë buxhetore mund të bëjë transfere deri në 15% të një ndarje buxhetore ta transferojë në një kategori tjetër me aprovimin paraprak të Ministrit të Financave. Mirëpo duhet patur kujdes sepse ky ligj vlen për organizata buxhetore (p.sh. për AKP) ndërsa Trepça nuk trajtohet si e tillë në Ligjin për Buxhetin”, thotë Thaçi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat