Bie ndjeshëm pesha e bankave greke në Shqipëri, u tërhoqën 136 mln euro

Ekonomi

Bie ndjeshëm pesha e bankave greke në Shqipëri, u tërhoqën 136 mln euro

Më: 18 gusht 2015 Në ora: 10:56

Statistikat e Shoqatës së Bankave hedhin dritë mbi pasojat e forta të krizës së Athinës në sistemin bankar shqiptar dhe sidomos te bankat me kapital grek…

Kriza e borxheve e vendit fqinj, që u intensifikua në tremujorin e dytë, duke rrezikuar deri daljen e Athinës nga euro ka dhënë ndikim të ndjeshëm edhe në sistemin bankar shqiptar. Statistikat e detajuara të publikuara nga Shoqata e bankave për tremujorin e dytë 2015 bëjnë të ditur se në fund të qershorit, pesha e aktiveve të bankave me kapital grek ndaj totalit zbriti në 15.3%, nga 16.8% në fund të vitit 2014, duke shënuar rënien më të fortë historike brenda një gjashtëmujori.

Të treja bankat me kapital grek (Tirana bank, Alpha bank dhe NBG) kanë shënuar një rënie të aktiveve së bashku me gati 8% në fund të qershorit, në raport me dhjetorin 2014, ndërkohë që aktivet e gjithë sistemit për të njëjtën periudhë u rritën me 1%.

Tkurrjen më të fortë e ka shënuar Tirana bank, që pa një rënie të aktiveve me 10%, duke zënë 6.8% të totalit të aktiveve në fund të qershorit. Edhe Alpha Bank dhe NBG shënuan rënie të aktiveve përkatësisht me 5% de 7.4% (shiko grafikun në fund për peshat përkatëse).

Rënie e fortë e depozitave

Pavarësisht thirrjeve të shumta për qetësi dhe garancisë së institucioneve kryesore në vend, paniku i krijuar nga një dalje e mundshme e Greqisë nga euro është reflektuar ndjeshëm edhe te depozituesit shqiptarë. Sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, bankat me kapital grek kanë vuajtur dhe një tërheqje të fortë të depozitave. Të treja bankat (Tirana bank, Alpha bank dhe NBG) kanë parë një rrjedhje të depozitave prej 19 miliardë lekësh, apo 136 milionë euro në gjashtë muajt e parë të vitit, ku janë prekur të treja bankat. Bankat me kapital grek kishin në qershor, 14.6% të totalit të depozitave, nga 16.4% në fund të 2014-s.

Ato që kanë “përfituar” nga kjo rrjedhje e depozitave në institucionet financiare greke kanë qenë BKT dhe Credins, që kanë parë një rritje të kursimeve me përkatësisht me 14 dhe 11.7 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.

Në total, depozitat në sistemin bankar shqiptar janë rritur me 0.2% për periudhën në fjalë.

Bie dhe kredia

Tirana Bank dhe Alpha kanë ulur stokun e kredisë në 6 muajt e parë të vitit, ndërsa NBG e ka rritur lehtë atë (shiko grafikun në fund). Në fund të qershorit, bankat me kapital grek zinin 17.5% të stokut të kredisë, nga 18.6% në dhjetor 2014.

Paralajmërimi i BSH-së

Pasi u përpoq të përcillte qetësi dhe të mos përhapte panik në periudhën qershor-korrik, kur Greqia rrezikoi seriozisht daljen nga euro, Banka e Shqipërisë u tregua më e drejtpërdrejtë tashmë që situata në Athinë është qetësuar dhe vendi ka arritur një marrëveshje të tretë shpëtuese me Bashkimin Europian.

Banka e Shqipërisë ka kryer një vlerësim paraprak të ndikimit të krizës greke mbi ritmet e rritjes ekonomike të gjashtëmujorit të dytë të vitit.

“Duke faktorizuar vetëm efektet direkte të kanaleve të mësipërme, modelet tona të parashikimit sugjerojnë se rritja ekonomike në Shqipëri do të reduktohet me mesatarisht 0.25 pikë përqindje për vitin aktual”, referon Banka e Shqipërisë në raportin e Poltikës Monetare për tremujorin e dytë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat