Promovohen mjedrat, konsiderohen mjaft profitabile

Ekonomi

Promovohen mjedrat, konsiderohen mjaft profitabile

Më: 18 gusht 2015 Në ora: 07:47

(E plotësuar) Ka nisur promovimi i mjedrave të freskëta të sapo vjela në panairin katër ditor në Prishtinë. Në “Javën e mjedrave”, vlerësohet se ky sektor bujqësor ka potencial të madh dhe është një kulturë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe profitabile për vendin tonë, duke gjetur treg edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Në hapje të këtij evenimenti, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi tha se derisa në vitin 2013 ka pasur rreth 23 hektar të kultivuara me mjedra, sot janë mbi 400 hektarë në këtë sektor.

“Mjedra është një nga pemët manore me potencialin më të madh në Kosovë, gjë që është dëshmuar edhe me rritjen e madhe nga viti në vit të sipërfaqeve të prodhimtarisë dhe përfitimeve për bujqit. Përfitimet e fermerëve janë shumë të mëdha dhe ne si Ministri në partneritet me miqtë dhe partnerët ndërkombëtar do të vazhdojmë ta mbështesim këtë sektor të rëndësishëm dhe me fokus të veçantë tek pemët manore...Mbështetje tek mjedra dhe tek të gjitha ato pemë të cilat ngrisin prodhimtarinë, zëvendësojnë importin dhe sjellin përfti me për fermerët duke rritur vendet e punës dhe duke ndihmuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik”, tha Krasniqi.

Ministri i Bujqësisë tha se kjo Ministri edhe këtë vit ka filluar me projekte të reja duke përfshirë edhe subvencionimin për herë të parë të pemishteve ekzistuese. Janë mbështet me mbi 1 milion euro pemët manore, ndërsa për pemët ekzistuese për një hektarë 400 euro.

Ndërkaq, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se ky mision ka mbështetur afër 300 prodhues të mjedrës në mbarë Kosovën.

“USAID-i është shumë krenar që mund t’i mbështes diku afër 300 prodhues kultivues të mjedrave anë e mbanë Kosovës. Kjo mbështetje e USAID-it ka të bëjë me sjelljen e varieteteve të reja, me sjelljen e teknologjisë së re dhe mënyrën e re të pake timit, si dhe pasimit në treg. Sikurse që tha ministri, kjo ka sjellë deri te një kuantitet më të madh, sasi më të madhe dhe cilësi. Gjithashtu kjo ka shpie deri te shitjet më të mëdha, shitet janë trefishuar dhe gjithashtu kemi edhe eksporte në tregjet e Bashkimit Evropian”, tha Hope.

Kurse, prodhuesi mjedrave, Sami Uka, i cili ishte pjesëmarrës me produktet e tij në këtë panair, tha se janë të angazhuar mjaft dhe seriozisht për prodhimin e mjedrave, pasi sipas tij konsiderohet një punë mjaft profitabile në bujqësi.

“Ne jo veç që kemi filluar me punuar dhe me u marrë seriozisht me kultivimin e mjedrës, jemi në përpjekje me bërë edhe organizime të fermerëve të regjionit të Kosovës në përgjithësi ku është formuar këto ditë edhe shoqata, me qëllim që mesazhin tonë ta përcjellim edhe te institucionet tona dhe tek ferme rët tjerë, sepse e kemi konstatuar se është një biznes, është një kulturë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe profitabile. Ne kemi qëllimin që këtë kulturë ta imponojmë për arsye të këtyre argumente që tashmë po dihen”, tha Uka.

Fermeri nga Dyzi nga ky panair i mjedrës pret që të promovohet edhe më tutje që të ketë sa më shumë sipërfaqe të mbjella me mjedra dhe krijohen vende të punës. Uka tha se qytetarët dhe shumë përfaqësues të shoqatave po shfaqin interesim për produktet e tyre.

Ndryshe, Ministrisë së Bujqësisë dhe USAID thuhet se deri në vitin 2020, do të ndihmojë sektorin e mjedrave që të evoluojë në një industri të qëndrueshme të tregut të prodhimeve të freskëta, duke mbështetur prodhimin në sipërfaqe prej 3 mijë hektarësh, duke synuar që vendi ynë të bëhet furnizues kulmor i mjedrave të freskëta dhe të përpunuara për tregun vendor, rajonal dhe atë të BE-së.

Hapet panairi i Mjedrës

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, do t’i vizitojnë fermerët pjesëmarrës në evenimentin vjetor “Java e Mjedrave”, që mbahet në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Sipërfaqet me mjedër në Republikën e Kosovës në vitin 2013 ishin rreth 23 hektarë dhe prodhimtaria ishte rreth 105 ton. Kjo është rritur dukshëm në vitin 2014, kur sipërfaqet me mjedër ishin në 130 hektarë, me prodhimtari vjetore deri në 580 ton. Krejt kjo në mbi 350 ekonomi bujqësore.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë në vazhdimësi grante për prodhimin dhe përpunimin e mjedrës dhe pemëve manore në përgjithësi ku hyjnë edhe dredhëza, manaferra, etj.

Sivjet për herë të parë kultivuesit e mjedrës kanë marrë edhe subvencione, nga 400 euro për hektarë dhe për këtë tashmë pagesat janë realizuar që disa ditë.

Në pjesën e granteve për kultivimin e pemëve manore kanë qenë të planifikuara 1 milion euro, ndërkaq rreth 700 mijë janë ndarë si subvencione.

Gjithashtu MBPZhR-ja ndanë grante edhe për përpunimin e këtyre pemëve, kur mbështetja varet nga numri i aplikantëve të suksesshëm dhe shuma e kërkesës së tyre për mbështetje.

Ndryshe, vitin e kaluar për pemë manore ishin ndarë rreth 360 mijë euro në pjesën e granteve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat