Të dyshuarit për ryshfet fitojnë milionat në Trepçë

Ekonomi

Të dyshuarit për ryshfet fitojnë milionat në Trepçë

Më: 17 gusht 2015 Në ora: 20:22

Përkundër akuzave për ryshfet në Rumani dhe një falimentimi të dyshimtë në Serbi, kompania “Mineco” nënshkroi kontratë multimilionëshe me ndërmarrjen Trepça-Veri, me bazë në Zveçan.

Hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovën tregon për të kaluarën e kësaj kompanie në Rumani e Serbi, si dhe për marrëdhëniet biznesore me ndërmmarjen Trepça –Veri në të kaluarën dhe tash.
Prej 15 milionë deri në 20 milionë dollarë varion vlera e një kontrate të lidhur mes ndërmarrjss shoqërore “Trepça” që gjendet në pjesën veriore të vendit-në Zveçan me kompaninë “Mineco”.

Kjo kompani ka një histori të dyshimtë në dy shtete të rajonit. Të bëmat e kësaj kompanie përfshijnë dy vendet e mëdha të Ballkanit-Serbinë e Rumaninë. Kanë të bëjnë me akuza për dhënie ryshfeti e falimentime të dyshimta.
Artikuj hulumtues të prodhuar nga Projekti për Raportim të Korrupsionit (OCCRP) dhe Qendra për Gazetari Hulumtuese në Serbi (CINS) tregojnë se drejtuesit e “Mineco-s” akuzohen se kanë dhënë ryshfet për të blerë një gjykatës rumun në këmbim të një vendimi të favorshëm për kompaninë e tyre.
Ndërsa në Serbi një kompani shtetërore e privatizuar e verërave, ku zotëronte hise “Mineco”, në vend të rritjes së biznesit shkoi drejt falimentimit.

Mirëpo duke lënë anash historinë e saj në këto dy shtete, më 19 maj të këtij viti, kjo kompani arriti të shpallet fitues në tenderin e madh multimilionësh të hapur nga “Trepça” në Veri.
Shuma e kontratës e lidhur mes palëve varion në bazë të lëvizjes së çmimit në berzën ndërkombëtare. Është përcaktuar të jetë mes 15 deri në 20 milionë dollarë.
Kontrata parasheh blerjen e 12 mijë tonëve koncentrat të plumbit nga “Mineco International Limited” me bazë në Croydon, qytet në jug të Londrës.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit
Por “Trepça” në veri dhe “Mineco” në të njëjtën ditë, më 19 maj 2015, nënshkruan edhe një marrëveshje tjetër përveç kontratës multimilionëshe.
Marrëveshja tjetër parasheh që “Mineco” të pezullojë procedurat për ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit që operon në kuadër Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.
Arbitrazhi, para katër vjetësh, më 27 prill të vitit 2011 kishte vendosur në favor të “Minecos”, përkatësisht degës së saj në Zvicër.

“Mineco” pretendonte se është dëmtuar nga Trepça-Veri, në një kontratë të mëhershme të furnizimit me koncentrat të plumbit.
Më 26 dhjetor të vitit 2013 ishte iniciuar nga “Mineco” kërkesa për ekzekutim të këtij vendimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë -Departamentin e Krimeve Ekonomike.
Mirëpo marrëveshja e nënshkruar më 29 maj të vitit 2015 parasheh që “Mineco” të ndërpresë përkohësisht kërkesën për ekzekutim që u është bërë autoriteteve gjyqësore në Kosovë.
Megjithatë, bazuar në këtë marrëveshje, kompania “Mineco” nuk është e obliguar të heqë dorë nga njohja e vendimit të Arbitrazhit dhe mund ta kërkojë ekzekutimin e tij për sa kohë “Trepça” operon si ndërmarrje shoqërore.
Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar vendimin e Arbitrazhit të marrë në prill të vitit 2011.
Vendimi tregon se “Mineco” u ankua pasiqë Trepça nuk ishte në gjendje të bëjë furnizimin me koncentrat plumbi bazuar në kontratën e lidhur mes palëve.
“Mineco”, njëzetë e një ditë pas nënshkrimit të kontratës, kishte bërë kërkesën për të marrë kontingjentin e parë të koncentratit të plumbit. “Trepça” nuk e kishte bërë këtë.
Në atë kohë çmimi i koncentratit të plumbit kishte rënë aq shumë në berzën ndërkombëtare sa që
“Mineco-s” i mundësohej ta blinte shumëfish më lirë sesa mesatarja e paraparë në kontratë.
Bazuar në këtë vendim, Trepça-Veri pretendon se nuk i detyrohet për ndonjë borxh kompanisë “Mineco”, pasi që nuk i ka shkaktuar dëme.

Trepça-Veri arsyetohet me faktin se ndërmarrja ishte në gjendje të mjerueshme kur i kërkohej nga “Mineco” të kryente furnizimin.
Megjithatë Arbitrazhi konkludoi se dërgesa e kërkuar nga “Mineco” është dashur të bëhet 21 ditë pas nënshkrimit të kontratës së lidhur mes palëve.
Arbitrazhi vendosi që pala e paditur nga Kosova (Trepça-Veri) t’i paguajë palës së dëmtuar (‘Mineco-s’ nga Zvicra) shumën e kontraktuar dhe 5 për qind të interesit ligjor.
Në vendim nuk ceket shuma e kontratës së atëhershme të lidhur mes “Mineco-s” dhe Trepça-Veri.
Trepça-Veri: Kontrata me “Mineco-n” e favorshme për ndërmarrjen
Danilo Radoviq, shef i kabinetit të Jovan Dimkiqit, drejtorit të përgjithshëm në Trepçën Veriore, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se “Mineco” e meritoi të fitojë tenderin e shpallur nga kjo ndërmarrje.
“Vlerësimi i komisionit të tenderit për ofertën e “Mineco-s” është se “Mineco” është shumë më e mirë”, thotë Radoviq.
Në tenderin ku “Mineco” u shpall fitues më 19 maj të këtij viti, konkurruan edhe kompania “Glencore” nga Zvicra, “Trafigura” nga Holanda dhe “Boleslav” nga Polonia.
Radoviq, kur i kërkohet një koment lidhur me fitimin e tenderit nga “Mineco” përkundër të kaluarës së saj, thotë se nuk është në dijeni të ndonjë rekomandimi të institucioneve për ndalimin e aktiviteteve biznesore të kësaj kompanie.
Ndërkohë Radoviq komentoi edhe marrëveshjen që parasheh pezullimin e masave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.
Radoviq thotë se kjo marrëveshje mbron interesant e ndërmarrjes Trepça-Veri.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka qenë mbikëqyrëse e tenderit të fituar nga “Mineco”.
AKP-ja sheh dallim mes natyrës së biznesit për të cilat dyshohet “Mineco” ( rastet e privatizimeve në Serbi e Rumani) dhe raportit kontraktual me ndërmarrjen Trepça –Veri.
“Në rastin tonë ( tenderi për shitje të koncentratit të plumbit) kompania “Mineco” nuk ka bërë privatizim, por është blerëse për të cilën do të duhet të bëjë pagesë avansi,” deklaroi Veton Hajdini, kryesues i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në AKP.
Ai shtoi se ndërmarrja Trepça –Veri ka marrë zotimet/sigurimet e duhura për pagesën e koncentratit.
“Pjesa më e rëndësishme e kontratës është fakti që kompania që blen koncentratin duhet ta paguajë në avancë gjithë lotin (dërgesën) i cili njëherësh paraqet garancinë maksimale për ndërmarrjen,” tha Hajdini.
Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar Zyrën për Media të kompanisë “Mineco”.
“Mineco” deklaroi se ka konkurruar me çmimin më të mirë për blerjen e 12 mijë tonëve koncentrat plumbi të Trepça-Veri.

Padia e “Mineco-s” kundër CINS-it
Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga “Mineco” një koment lidhur me artikujt e publikuar nga OCCRP-ja në bashkëpunim me CINS Serbia.
“Mineco” në përgjigjen dhënë Gazetës Jeta në Kosovë deklaroi se ka ngritur ankesë ndaj këtyre artikujve në Autoritetin Rregullativ të Mediave në Serbi dhe dërgoi linkun e vendimit të marrë nga ky organ.
Megjithatë, ky autoritet nuk vendosi në favor të kompanisë “Mineco”, por në favor të CINS-it më 15 korrik të vitit 2015.
Ankesa u dorëzua më 2 qershor të vitit 2015 për dy artikujt e titulluar “Mineco” dhe privatizimi i dështuar në Serbi” dhe “Mitë, Spiunë, Masonë dhe qytetarë serbë, biznes me bakrin rumun”.
Këta dy artikuj ishin publikuar nga CINS-i më 15 korrik të vitit 2013, gati dy vjet para se “Mineco” të dorëzonte ankesë kundër tyre. CINS-i i prodhoi këta artikuj në bashkëpunim me OCCRP-në dhe BIRN Serbinë.
“Mineco” pretendon se CINS-i ka shkelur katër standarde të etikës dhe profesionalizmit gazetaresk që janë – raportimi i së vërtetës, përgjegjësia e gazetarit, kujdesi gazetaresk dhe respektimi i privatësisë.
Sipas ankesës së “Minecos” në këta dy artikuj ka kombinime të fakteve me komente të pabaza që më shumë përbëjnë insinuata e thashetheme sesa fakte.
Po ashtu, sipas ankesës, tekstet kundër “Minecos” shkelin privatësinë e përfaqësuesve të “Mineco-s” dhe i shpallin të fajshëm gjera hetimet janë ende në zhvillim e sipër. Këshilli vendosi se CINS-i nuk ka shkelur kodeksin e gazetarëve serbë në raportimin e së vërtetës, kujdesit gazetaresk dhe respektimit të privatësisë.
Vetëm te një pikë, te përgjegjësia e gazetarit, nuk pati vendim unanim për të rrëzuar ankesën e “Mineco-s”. Gjashtë nga anëtarët e këshillit votuan kundër “Minecos”, ndërsa duhen 7 vota për të vendosur pro ose kundër një ankese.
“Mineco” ishte ankuar në këtë pikë duke pohuar se CINS-i në legjendën e fotografisë shënoi “objekti që ‘Mineco’ e fitoi jashtëligjshëm”, në kohën kur ka pasur vetëm dyshime të prokurorisë për përfitim të paligjshëm, ndërsa gazetarët kishin dhënë konkludim pa u bazuar në vendim gjyqi.
Artikulli i referohej objektit të ndërmarrjes shtetërore të verërave “Navip” të privatizuar nga kompania “Mineco”.
Pretendimet e kompanisë “Mineco” i ka kundërshtuar Branko Çeçen, drejtor i CINS-it.
Ai në mbledhjen e Këshillit ka theksuar se gazetarët me muaj kanë hulumtuar këtë temë në bashkëpunim me OCCRP-në dhe të gjitha informacionet në tekste janë të mbuluara me dokumente zyrtare të institucioneve të Serbisë dhe Rumanisë.
“Gazetarët u kanë dhënë mundësi edhe përfaqësuesve të kompanisë “Mineco” që të deklarohen. I kemi thirrur shumë herë në telefon dhe u kemi dërguar pyetje me e-mail,” tha Çeçen.
Pasi që ky këshill nuk mori vendim në favor të “Mineco-s” kjo kompani ka njoftuar se ka ngritur padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit të biznesit kundër Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Serbi (CINS).
“Qendra për Gazetari Hulumtuese në Serbi për tri herë me radhë në faqen e vet të internetit ka publikuar tekste në lidhje me kompaninë ‘Mineco’ dhe përfaqësuesit e saj: së pari në korrik të vitit 2013 – dy tekste me tituj shumë bombastikë (sensacional) dhe më pas në nëntor 2014 në bashkëpunim me
BIRN Serbia publikoi një tekst i cili na referohej neve dhe linkun për të çuar në dy të parat,” thuhet në njoftimin e “Mineco-s” të datës 27 korrik të vitit 2015.
Detaje të së kaluarës së dyshimtë të “Mineco-s”
Hulumtimet e kryera në bashkëpunim nga OCCRP-ja e CINS-i tregojnë detaje të së kaluarës së dyshimtë të kompanisë “Mineco”, përkatësisht njësive biznesore të saj në Serbi e Rumani.
Kjo kompani e njohur për biznesin minerar, me bazë në Londër, para tetë vjetësh kishte vendosur të futej edhe në biznesin e prodhimit të verërave. Kishte pasur aksione në Ndërmarrjen “Navip”, një ish-ndërmarrje shtetërore në Serbi e njohur për prodhimin e verërave.
Hulumtimi i publikuar nga OCCRP-ja tregon se pas privatizimit 11 filialet e “Navip-it” janë mbyllur zyrtarisht, ose nuk punojnë.
Prona e kompanisë është vlerësuar në më shumë se 21 milionë euro, raportohet në hulumtimet e publikuara. Ndërsa borxhet kishin arritur shumën e rreth 20 milionë eurove.
Bazuar në hulumtimin e publikuar, ndërmarrja “Navip” ka hyrë në procedurën e falimentimit në mars të vitit 2012 – tre vjet pasi “Mineco” kishte shitur aksione, sipas deklarimeve të kësaj firme private.
Kompania “Navip” dikur ka pasur të punësuar 800 punëtorë të cilët kanë mbetur rrugëve pas falimentimit.
Por “Mineco”, në reagimet e saj publike, mohoi se ka përgjegjësi në dëmtimin e kësaj ndërmarrjeje.
“Mineco”, në një deklaratë për media, kishte demantuar se është përgjegjëse për falimentimin e Navip-it”.
Kishte deklaruar se kishte blerë aksione të vogla në “Navip” gjatë viteve 2007 e 2008 dhe të njëjtat i kishte shitur më 2009. Nuk kishte saktësuar përqindjen e aksioneve.
Raportimet e mediave i kishte vlerësuar si tentativa për t’i bërë presion prokurorisë, me qëllim që të vendosë në disfavor të “Mineco-s” duke ngritur aktakuzë të mundshme kundër saj në hetimin që po vazhdon lidhur me falimentimin e dyshtimtë të “Navip-it” .
Përveç operimit në Serbi, “Mineco” zotëron kompani të shumta në tërë Evropën që përfshijnë biznesin e eksplorimit të mineraleve, minierave dhe agrokulturës.
Baza e saj është në Britani të Madhe, ndërsa ka shtrirje në shumë vende tjera evropiane si Zvicra, Holanda, Qiproja, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia.
Hulumtimet e OCCRP-së dhe CINS-it, përveç Serbisë, gjurmuan të kaluarën e saj edhe në Rumani.
Hulumtimi tregon se Dimitrije Aksentijeviq, anëtar bordi në “Mineco” dhe një ndihmës kyç i tij, akuzohen për korrupsion nga autoritetet rumune.
Përkundër akuzave, sipas OCCRP-së, dy të akuzuarit jetojnë të lirë në Britani të Madhe nga ku menaxhojnë perandorinë e tyre biznesore.
Të dy, sipas artikullit, u larguan nga Rumania kur policia arrestoi një gjykatës që mori 50 mijë euro ryshfet në këmbim të një vendimi të favorshëm për “Minecon” në një rast gjyqësor që përfshinte pasuritë e” Moldomit”, një kompani e falimentuar shtetërore e minierave asetet e së cilës i dëshironte “Mineco”.
Daniel Bojin, gazetari rumun i këtij artikulli, që është pjesë e OCCRP-së i tha Gazetës Jeta në Kosovë se rasti gjyqësor kundër drejtuesve të “Minecos” është në fazën fillestare të gjykimit.
Aksentijeviq dhe Andrejeviq, sipas tij, po gjykohen në mungesë nga Tribunali i Bukureshtit për rastin e korrupsionit që ka të bëjë me dhënien e ryshfetit prej 50 mijë eurosh për një gjykatës rumun.
Mbi ta rëndon akuza se kanë blerë ndikimin e gjykatësit Catalin Serban, zëvendëskryetar i Gjykatës së Apelit në Timisoara, në mars të vitit 2012 për të marrë vendime lidhur me disa asete të kompanisë “Moldomin” të cilat i dëshironte kompania “Mineco”.
Derisa tek tash ka nisur gjykimi në mungesë kundër drejtuesve të “Mineco-s”, për shkak të largimit të tyre nga Rumania, autoritetet gjyqësore në këtë vend kanë shqiptuar dënimet në procesin e parë gjyqësor që lidhet me këtë rast.
Gjyqi më 28 dhjetor të vitit 2012 dënoi me pesë vjet burg gjyqtarin Catalin Serban, pasi mori vendime i ndikuar nga paratë.
Po atë ditë në këtë proces gjyqësor u dënuan edhe bashkëshortja e tij Serbana Mihaela Ramona, notere publike. Ajo u dënua me tre vjet burgim.
Ndërkaq ish-drejtori i kompanisë shtetërore “Moldoimin”, Iacob Chisarau, u dënua po ashtu me tre vjet burg.
Po atë ditë me dy vjet burg u dënua Adrian Dan Rus, përfaqësues i “Mineco-s” në Rumani, ndërsa Mihaila Ioan-Mariani, profesor në Universitetin “Murgu Eftimie” në Resita, u dënua me tre vjet burgim.
Kompanisë “Mineco” iu kërkua nga Gazeta Jeta në Kosovë një koment lidhur me proceset gjyqësore në Rumani.

“Mineco” nuk dha një koment
Në vend të komentit, kompania në e-mailin e datës 29 qershor të këtij viti ftoi ekipin që punonte në këtë artikull që ta vizitonin “Mineco-n” në Londër, duke thënë se kanë dëshirë që gazetarët ta shohin mënyrën e punës së kësaj kompanie.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat