Kosovën e mbajnë mërgimtarët

Ekonomi

Kosovën e mbajnë mërgimtarët

Më: 17 gusht 2015 Në ora: 19:25

Sa herë vijnë muajt e verës bashkëqytetarë tanë nga diaspora me të madhe ia mësynë Kosovës. Të shumtë janë ata që sjellin edhe para të majme të kursyera nga puna gjatë muajve paraprak.

Emin Emini familjes së tij në Gjilan këtë verë ia solli rreth 15 mijë euro. I ardhur nga Gjermania për kalimin e pushimeve në vendlindje ai tregon se këtë vit solli në shtëpi më shumë para se sa viteve të kaluara.

“Kemi planifikuar me vëllain renovimin e shtëpisë gjatë kësaj vere. Kjo është arsyeja e sjelljes së këtyre parave. Por gjatë qëndrimit këtu për tri javë sigurisht se do të dalin edhe shpenzime tjera”, tha Emini.

Ai bënë të ditur se bashkë me familjen e tij 5 anëtarëshe të paktën dy herë brenda vitit vinë në Kosovë, por jo gjithherë ai sjell para të majme në familje, shkruan revista Ekonomia.

Deri tani, ka disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropë. Bile Kosova është ndër vendet në Ballkan me më se shumti dërgesa të pranuara nga mërgimtarët.

E sjellja e parave ndikim ka edhe në rritjen e konsumit e rrjedhimisht edhe ndikim në ekonominë e gjithmbarshme të vendit.

Në një raport të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ndër të tjerash thuhet se remitencat në vitin 2014 ndikuan që Kosova të arrij rritjen ekonomike që pati për më pak se 3%. Sipas raportit vjetorë të BQK-së të publikuar në muajin qershor efektet e përmirësimit të ekonomisë në Eurozonë ndikim kanë në ekonominë e Kosovës nëpërmjet remitencave, investimeve të huaja direkte.

“Remitencat, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, vazhdojnë të kontribuojë në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Vlera e gjithsej remitencave të pranuara në vend në vitin 2014 arriti në 693.7 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.7%”, thuhet në këtë raport.

Edhe në një studim të bërë kohë më parë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, është theksuar se pa këto para të dërguara nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, norma e varfërisë në Kosovë do të kishte ndryshuar nga 26 përqindëshi në rreth 52%, që paraqet një rritje prej 100%.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani ka theksuar se konsumin familjar në Kosovë kryesisht e mban diaspora, dhe atë jo vetëm gjatë muajve të verës kur ata vinë në pushime, por gjatë tërë vitit.

“Rëndësia kryesore e remitencave të diasporës sonë mbështetet në sigurimin e konsumit në Kosovë, pra konsumi në Kosovë mbahet pikërisht në bazë të remitencave që dërgohen nga diaspora jonë”, thekson profesor Limani.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat