Akciza e lartë i çon drejt falimentimit prodhuesit e lëngjeve (Foto)

Ekonomi

Akciza e lartë i çon drejt falimentimit prodhuesit e lëngjeve (Foto)

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 16:44

Akciza e lartë prej 4,5 centëve për litër, të cilën janë të obliguar ta paguajnë kompanitë prodhuese të lëngjeve te frutave, po u shkakton atyre dëme të mëdha financiare dhe afariste, tha sot Aleanca Kosovare e Bizneseve, në konferencën për media në të cilën u shpalosën problemet e këtyre prodhuesve.

Në pres-konferencën tematike “Trajtimi i akcizës në lëngje – stërngarkesë për sektorin e pijeve joalkoolike, njëkohësisht një pengesë e madhe për afarizëm pozitiv”, u tha se me këtë akcizë më shumë fiton shteti sesa vetë prodhuesit dhe nëse kjo vazhdon kështu, atëherë këto ndërmarrje shumë shpejt do të shkojnë drejt falimentimit.

Nënkryetari AKB-së, Bashkim Osmani, tha se edhe sektori i prodhimeve të lëngjeve të frutave, sikur çdo sektor tjetër, po ballafaqohet me probleme të ndryshme, por kryesori është ai i politikave fiskale. Sipas tij, nga kjo gjendje, më shumë fiton shteti sesa prodhuesit.

Osmani: Problemi kryesor i prodhuesve të lëngjeve, politikat fiskale

“Si çdo degë e industrisë edhe ne jemi duke u ballafaquar me probleme të shumta , probleme këto që janë të natyrave të ndryshme, por problemi kryesor është i politikave fiskale që udhëhiqen për lëndët e para dhe për produktet që ne i prodhojmë janë pikërisht këto probleme që na kanë vënë në pozicion të pakënaqësisë së madhe, duke tentuar kështu që nëpërmes kësaj konference t’i njoftojmë institucionet tona përgjegjëse se jemi në kushte shumë të vështira. Ne sektori i pijeve joalkoolike, prej vitit 2006 pa vullnet e paguajmë taksën e akcizës në lëngje prej 4 cent e gjysmë për litër…llogaritet se 15 deri në 25 për qind të çmimit final janë akcizë apo gjegjësisht duhet t’i paguhet shtetit. Kjo do të thotë se shumë më shumë fiton shteti nga kjo akcizë se ne si prodhues”, tha Osmani.

Osmani më pas shtoi se si AKB po kërkojnë që përfundimisht të hiqet apo të reduktohet taksa e akcizës së lëngjeve.

Osmani: AKB kërkon që të hiqet apo të reduktohet taksa e akcizës

“AKB si përfundim nga të gjitha institucionet tona relevante dhe ato vendim-marrëse kërkon që përfundimisht të hiqet apo së paku të reduktohet taksa e akcizës së brendshme për produktet tona dhe të ndërpritet çdo vendim institucional arbitrar”, shtoi Osmani.

Ndërkaq, njëri nga prodhuesit më të mëdhenj të lëngjeve të frutave, Devolli Group, është ngarkuar retroaktivisht me 1 milion e 400 mijë euro taksë akcize.

Xhelal Radoniqi, drejtor gjeneral në Devolli Group, tha se nëse paguhen këto taksa, secila nga ndërmarrjet prodhuese të lëngjeve do të falimentojnë.

Radoniqi: Nëse vazhdohet kështu, do të falimentojnë të gjithë prodhuesit e lëngjeve

Edhe ne kemi shqetësime të mëdha sa I përket akcizës në lëngje. Ky problem ekziston qysh moti… kështu që edhe iniciativa e deritashme e doganave kanë qenë që të na marrin akcizën edhe retroaktivisht prej vitit 2009 deri 2012. Në ato vite ne nuk kemi pasur asnjë moment vërejtje prej doganave, kemi paguar akcizë për lëngje të cilat kanë pjesëmarrje të frutave deri në 25 për qind…me një vendim të doganave të Kosovës ka ndryshuar në 2012tën dhe na kanë ngarkuar retroaktivisht për ato vite një vlerë deri në 1 milion e 400 mijë është e ngarkuar Devolli Group…nëse paguhet kjo, do të falimentojë secila ndërmarrje që merret me përpunimin e këtyre lëngjeve. Prandaj, lus…që të bëhet apel në institucionet përkatëse që të marrin masa që kjo pagesë retroaktive të hiqet”, tha Radoniqi.

Devolli Group, prodhues i lëngjeve të frutave Tango dh e qumështit Vita, nuk ishin të vetmit që u ankuan për akcizën e lartë në këto lëngje. Mendim të njëjtë kishin edhe kompanitë tjera prodhuese, si Laberion, Eko, Frutti etj./D.GASHI/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat