Sërish rriten çmimet në Kosovë, edhe pas ndryshimit të Ligjit për TVSh-në

Ekonomi

Sërish rriten çmimet në Kosovë, edhe pas ndryshimit të Ligjit për TVSh-në

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 22:30

Kanë filluar pasojat për qytetarët, pas ndryshimit të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Derisa ndryshimet në këtë Ligj përgjysmojnë TVSH nga 16 për qind, sa ka qenë në disa produkte, në 8 për qind, për të tjerat, që janë shumica, e rrit TVSH-në në 18 për qind, nga 16 sa ka qenë.

Qytetarët është pritur të paguajnë më pak në produktet bazë, por kanë filluar të paguajnë më shumë për të tjerat.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti pati deklaruar se kjo ulje do të reflektonte drejtpërdrejt në faturën e ujit, ngrohjes dhe energjisë.

Sipas tij, nëse biznesi detyrohet që shtetit t’i paguajë vetëm gjysmën e saj, pra 8 për qind, atëherë detyrimisht që do të ulen çmimet. Por, kjo nuk po ndodh. Madje çmimet janë ngritur.
Bizneset thonë se janë ngritur çmimet e tjera, andaj kanë vendosur që të ngritin çmimet e shërbimeve që ofrojnë.

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se me ndryshimet që janë bërë mund të jenë pozitive për shtresën e varfër të shoqërisë, por thonë që kanë efekt negativ për shtresën e mesme, që janë shumica.

E sipas një analize të Institutit GAP, thuhet se bizneset e vogla do të ndikohen negativisht nga ulja e pragut të TVSH-së, ndërsa heqja e TVSH-së në makineri dhe lëndën e parë do të ulë koston e prodhimit dhe potencialisht rritë investimet në sektorë prodhues.

Sipas po kësaj analize, rritja e TVSH-së në shumicën e produkteve nga 16 në 18%, duke i mbajtur faktorët tjerë të izoluar, pritet të sjelle ngritje të çmimeve në shportën e konsumatorit dhe të rrisë të hyrat buxhetore.

Drejtori i këtij Instituti, Agron Demi thotë për lajmi.net se për ta ka qenë e pritshme që do të ndodh kjo, duke marr parasysh se lista e produkteve për të cilat është ulur TVSH-ja nga 16 në 8 për qind, është shumë më e vogël se lista e produkteve për të cilat është rritur TVSH-ja nga 16 në 18 për qind.

“Ka qenë e pritshme që çmimet mund edhe të rriten e jo të bien ashtu siç ka proklamuar Qeveria. Në një analizë të GAP për efektet e reformave fiskale, kemi kalkuluar se ndryshimet fiskale do të rrisin çmimet e konsumit për së paku 1%”, thotë ai.

“Qeveria ka qenë në dijeni që diçka e tillë mund të ndodh. Ne kemi kërkuar që lista e produkteve për të cilat do të ulen çmimet të zgjerohet, dhe ekziston kjo mundësi edhe më tej. Gjithashtu kemi kërkuar që TVSH të mos rritet për produktet tjera nga 16 në 18%”, thotë Demi.

Tashmë, paralajmërohet që të ketë ngritje të çmimeve tek duhani, alkooli, derivatet e naftës, veshmbathja, mjete transportuese dhe shërbime tjera, si dhe rrezikohet ngritja e informalitetit.

Edhe përfaqësuesit e bizneseve paraprakisht kanë kërkuar që nga Qeveria e Kosovës që mos të marr vendim për rritje të TVSH-së nga 16 në 18 për qind.

Ndryshe, që kur kanë filluar ndryshimet në këtë Ligj, prodhuesit janë ankuar se me rritjen e TVSh-në, në produktet që atyre u duhen, do të dëmtohen nga importuesit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat