Një vizitë “fshatit të biznesit”

Ekonomi

Një vizitë “fshatit të biznesit”

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 17:35

Me qëllim të inkurajimit të bizneseve vendore dhe shqyrtimit të mundësive për t’i mbështetur ato, që nga ardhja në postin e drejtorit të bujqësisë, Nasuf Aliu kohën më të madhe të punës e kalon në terren. Kësaj radhe ai, si gjithnjë i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, qëndroj në fshatin Pirq të Mitrovicës, duke mos hezituar ta emëroj atë “fshati i biznesit”.

Banorët e këtij fshati, njihen ndër punëtorët më të mëdhenj të tokës bujqësore në këtë anë, ku pothuajse secila familje ka biznes në këtë fushë.
Produktet më të njohura nga ky fshat që mund t’i gjesh në tregun e këtij qyteti, por edhe më gjerë, janë pjeprat dhe shalqini, por nuk mungojnë as llojet e tjerave të pemëve e as produktet e qumështit.
Gjatë vizitës së tyre në Pirq, zyrtarët e Komunës së Mitrovicës u ndalën për një kohë në familjen e Salih Kalludrës. Derisa Salihu me babain e tij merreshin me rregullimin e një automjeti të punës, nëna e tij mu në “pik” të ditës, ndodhej në një nga hapësirat e mbjella me domate.
Kjo tregon se atyre gjatë ditës mund t’u jap pak pushim vetëm ndonjë vizitor i mundshëm, ndryshe nuk kanë të ndaluar.

“Sipërfaqja e përgjithshme të cilën e kultivojmë është rreth 12 hektar. Prej tyre 7 hektarë i kemi pas të mbjella me grurë, 4 me misër, ndërkaq afro një hektar pjepër, duke mos përfshirë këtu edhe serrën dhe hapësira të tjera më të vogla në të cilat i kultivojmë perimet”, thekson Kalludra, duke shtuar se familja e tij merret edhe me kultivimin e pemëve dhe ka të mbjella 30 ari kumbulla dhe mollë.
Ai tregon se deri më tani të gjitha i ka arrit me forca të veta dhe të familjes së tij, ndërkaq kohës së fundit ka pas edhe mbështetje, gjegjësisht subvencione të herë pas hershme nga institucionet. Sa i përket profitit nga kjo veprimtari, sipas Kalludres, ajo çka kërkohet nga faktori njeri çdo vit realizohet, ndërkaq ana tjetër varet nga kushtet atmosferike, kështu që profiti nuk është i njëjtë për çdo vit.
Përveç bujqësisë, familja e tij merret edhe me blegtori. “Kemi 17 krerë lopë, çdo ditë shesim 10 apo më shumë litra qumësht, disa i dërgojmë në qumështore, ndërkaq të tjerat direkt te konsumatorët, nëpër shtëpi private”, pohon ai.
Në këtë biznes janë të angazhuar kryesisht anëtarët e familjes, mirëpo sikurse edhe shumë biznese të tjera të këtij lloji, edhe familja Kalludra angazhon çdo vit punëtorë sezonal, kryesisht dy të tillë, në rast nevoje edhe më shumë.
Në këtë fshat jetojnë rreth 50 familje. Pothuajse të gjitha kanë biznesin e tyre familjar, ndonëse jo të regjistruar, por që në të shumtën e rasteve, qarkullimi dhe fuqia e tyre ekonomike tejlakon kapacitetet e një biznesi të zakonshëm, për çka edhe drejtori Aliu, fshatin Pirq e quan “fshati i biznesit”.
Edhe nëse ndonjë familje nuk ka mundësi që të punoj tokën, familja Kalludra dhe të tjerat si kjo, nuk e lënë atë tokë “batall” (të papunuar). Derisa ndodheshim në arat e mbjella me pjepër, kryefamiljari Smajli u tregon zyrtarëve të komunës, cilat toka janë pronë e tij e cilat i ka marrë me qira për t’i punuar.
Pothuajse të gjitha familjet e këtij fshati, që krijojnë të ardhurat nga punimi i tokës, kanë edhe problemet me të cilat ballafaqohen. Mungesa e sistemit të ujitjes, konsiderohet një nga problemet e përbashkëta të tyre, por edhe gjendja e rrugëve lokale nuk është për t’u dëshiruar.
Drejtori Aliu, duke inkurajuar fermerët e Pirqit që të vazhdojnë me veprimtarin e tyre, si veprimtari shumë e pastër por edhe profitabile, premtoj se do të angazhohet maksimalisht për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e ekonomive të tyre.

Me këtë rast, ai bëri të ditur se drejtoria e tij, tashmë ka hartuar projektin për sistemin e ujitjes në këtë anë, por meqë mundësit buxhetore të komunës janë të vogla për të mundësuar realizimin, drejtori Aliu, tha se ky projekt do t’i adresohet nivelit qendrorë, gjegjësisht Ministrisë së Bujqësisë, me shpresë se do të gjejë mbështetje.

Ai po ashtu premtoj se do të interesohet edhe për mundësit e komunës për rregullimin e rrugëve lokale të fshatit, që do të ishte një lehtësim për zhvillimin e këtyre ekonomive, pasi që në këtë drejtim ka edhe mbështetjen e plotë të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat