Rriten kursimet e qytetarëve në banka

Ekonomi

Rriten kursimet e qytetarëve në banka

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 16:43

Pavarësisht gjendjes se rëndë ekonomike në Kosovë, qytetarët kanë arritur të kenë kursime materiale në institucionet financiare.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, vlera e depozitave të qytetarëve në bankat komerciale, që operojnë në Kosovë, deri në fund të vitit të kaluar ka arritur në 2.53 miliardë euro.

Përfaqësues të bizneseve, por edhe ekspertë për çështje financiare e konsiderojnë shqetësues këtë fakt, pasi sipas tyre, në mungesë të një ambienti të sigurt për investime, qytetarët obligohen t'i kursejnë mjetet e tyre financiare në banka, madje me interes tejet të ulët.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, ka thënë se edhe depozitat janë të lidhura ngushtë më sundimin e rendit dhe ligjit.

Ai pohon se mungesa e vizionit për zhvillim ekonomik dhe mos-përkrahja e sektorit privat, ka bërë që qytetarët t'i kursejnë mjetet në banka.

“Në aspektin e mungesës së një vizioni ekonomik, shumëkush edhe nëse posedon para të gatshme, më sigurt i ka të investojë në banka me 0.5 për qind interes, ose edhe më pak, se sa t'i investojë në projekte ku askush nuk i mbron dhe nuk i siguron sukses dhe qëndrueshmëri”, ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Normat mesatare të depozitave, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në dhjetor të vitit 2014 u zvogëlua në 1.1 për qind nga 2.4 për qind sa ishte në dhjetor të vitit 2013.

Kjo normë e interesit për ekspertët paraqitet shumë e ulët, pasi normat për kredi në bankat e njëjta janë rreth 10 për qind.

Mungesa e sigurisë për investitorët vendor por edhe të jashtëm, ka bërë që qytetarët t'i mbajnë paratë e ngrira në banka, thotë edhe eksperti për çështje financiare Milazim Abazi.

“Kamatat e depozitave janë më të ulëta në Evropë. Nuk ka stimulime për të kursyer në banka. Por, qytetarët për shkak të mos-sigurisë për t'i mbajtur në shtëpi (paratë) për shkak të mungesës së klimës së biznesit, në mungesë të projekteve, investimeve, ata përcaktohen që kursimet t'i mbajnë në banka edhe pse ato janë me interesa tejet minimale”, tha Abazi

Abazi thekson se nevojitet një reformë e thellë tek të gjitha autoritetet kompetente që të krijohet një klimë e sigurt e të bërit biznes, rrjedhimisht qytetarët paratë e tyre t'i investojnë në projekte të cilat sjellin përfitime dhe përmirësojnë mirëqenien e tyre.

"Duhet një reformë e thellë në administratën publike të Kosovës, në entet rregullative, entet licencuese,në Ministrinë e Drejtësisë, gjyqësor,në përgjithësi që të krijohet një ambient i sigurt për të zhvilluar biznes", tha Abazi.

Ndryshe, Kosova konsiderohet një ndër vendet më të varfra në Evropë.

Pagat në sektorin publik dhe privat në shumicën e rasteve, përveç mbulimit të nevojave elementare për mbijetesë, nuk mjaftojnë për ndonjë investim, blerje të patundshmërisë, pushim apo edhe blerje të veturave.
Për çdo investim eventual, qytetarët iu drejtohen bankave për të marrë kredi.
Afër 500 mijë, është numri i kredive të huazuara nga qytetarët në bankat komerciale, me një vlerë prej 1.88 miliardë euro, duke përfshirë këtu kredi të llojeve të ndryshme dhe kredit-kartelat.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat