“Sofra” një biznes që përveç familjes ia shohin hairin edhe fqinjët

Ekonomi

“Sofra” një biznes që përveç familjes ia shohin hairin edhe fqinjët

Më: 23 korrik 2015 Në ora: 18:15

Nadire Hasani nga fshati Frashër i Komunës së Mitrovicës, ka tri vite që merret me kultivimin e pemëve dhe perimeve dhe prodhimin e tyre. Iniciativa për t’u marrë me këtë veprimtari ishte e bashkëshortit të saj Mexhitit, të cilin e ka krahë të djathtë në këtë biznes. Sot ata ndihen të kënaqur me veprimtarin që zhvillojnë dhe profitin që iu sjell.
“Iniciativa për tu marrë me këtë punë ishte e burrit tim. Në fillim kemi pas pak vështirësi, sidomos rreth përpunimit të pemëve dhe perimeve, pasi që në mungesë të pajisjeve për prodhim kemi punuar me tenxhere siç punojnë gratë vetëm për nevojat e tyre familjare”, rrëfen zonja Hasani.
Ajo tregon se në fillim ka arrit të prodhojë vetëm 10 deri në 20 kavanoza me produkte të pemëve dhe perimeve, por më pastaj është përkrahur nga të tjerët për zhvillimin e veprimtarisë së saj.
“Që me daljen në treg të prodhimeve tona, qoftë në panaire të ndryshme apo aktivitetet të tjera, janë paraqit kërkesat për këto produkte dhe fal mbështetjes së IADK-së, e cila na ka ndihmuar me pajisje pune kemi arrit ta zgjerojmë veprimtarinë tonë”, pohon Hasani.
Me këtë rast, ajo përmend edhe AZHRV-në e cila e ka mbështet në shumën prej 1.000 euro për blerjen e pajisjeve, si dhe mbështetjen me kavanoza nga organizata CBM.
Ndërkaq, Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me IADK, e kanë ndihmuar “Sofrën” me sistemin e ujitjes dhe fara për speca të ajvarit.
Aktualisht familja Hasani ka të mbjella me perime të ndryshme rreth 35 ari dhe tri serra në hapësirë prej rreth 5 ari.

Ata prodhojnë reçele të ndryshëm, ajvar, pinxhur, turshia të lloj-llojshme, por shesin edhe perime te gatshme. Sipas kryefamiljarit, nga prodhimet e tyre më i kërkuari është ajvari. “Brenda vitit shesim rreth 600 kavanoz me ajvar, por sikur të mund të prodhonim do të mund të shisnim edhe 6.000 sosh, pasi që ky produkt i yni është shumë i kërkuar”, thekson Hasani.
Biznesi “Sofra” është biznes familjar me të cilin merren Mexhiti dhe Nadirja, por varësisht nga nevoja ata detyrohen të marrin edhe një punëtore sezonale.
Por për zgjerimin e veprimtarisë ata thonë se aktualisht nuk kanë mundësi pasi që kanë nevojë për pajisje shtesë për punë, në mes të tjerash edhe të një kultivatori për transportim të mallit.
Ndryshe, nga kjo veprimtari nuk fiton vetëm kjo familje, por edhe disa nga bashkëfshatarët e saj, nga të cilët familja Hasani blenë pemë dhe perime, me ç’rast u del në ndihmë fqinjëve e në anën tjetër i ndihmon edhe vetes me shtimin e prodhimit.
Drejtori Aliu, kërkoj nga kjo familje që të hartojë listën e nevojave për zgjerimin biznesit, si dhe listën e furnizuesve me pemë perime apo çfarëdo lloji kultivimi që kanë si bashkëpunëtorë, me qëllim të adresimit të këtyre nevojave qoftë përmes drejtorisë apo në forma të tjera për mbështetje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat