Korrje-shirjet janë kryer mbi 75 për qind

Ekonomi

Korrje-shirjet janë kryer mbi 75 për qind

Më: 22 korrik 2015 Në ora: 20:59

Fermerët mitrovicas janë në vlugun e punës për grumbullimin e bukës së motmotit.
Shumica e sipërfaqeve, kryesisht në zonat rrafshore të mbjella me grurë tashmë janë korrur, ndërkohë që po vazhdojnë punët në korrje në pjesët kodrinore të komunës.
Drejtori i Bujqësisë, Nasuf Aliu, i shoqëruar nga zyrtarët e komisionit komunal për korrje-shirjet, ka inspektuar mbarëvajtjen e tyre në sipërfaqet e mbjella me grurë në fshatin Vidimriq në veri të qytetit. Në arat e punës ai ka takuar një nga fermerët e dalluar të kësaj komune, Skënder Rexhepin, i cili ka thënë se i ka të mbjella me grurë rreth 11 hektarë. Krahasuar me vitin paraprak, Rexhepi ka deklaruar se rendimentet e grurit këtë vit janë më të ulëta, kryesisht si pasojë e thatësisë.
Drejtori Aliu e ka inkurajuar fermerin Rexhepi për punën e bërë si fermer i dalluar, njëherësh ka premtuar vazhdimin e mbështetjes nga komuna për fermerët kultivues të grurit. Sipas kryesuesit të komisionit përgjegjës, Bedri Bajrami, deri më tani në Komunën e Mitrovicës është korrur mbi 75 për qind e sipërfaqes së mbjell me grurë. “Rendimentet po sillen mesatarisht rreth 3 600 kg për hektar, ndërsa rendimentet në sipërfaqet e mbjella me elb mesatarja sillet rreth 1 900 kilogramë për hektar”, ka thënë Bajrami.
Ndonëse Drejtoria e Bujqësisë për mbjellje vjeshtore në komunë kishte planifikuar sipërfaqe prej 1 200 hektarësh grurë, janë mbjell vetëm 1 030 hektarë, ndërsa me elb ishin planifikuar 35, ndërsa janë mbjell 30 hektarë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat