Hapet Panairi Veror i Ndërmarrësisë në Prishtinë

Ekonomi

Hapet Panairi Veror i Ndërmarrësisë në Prishtinë

Më: 22 korrik 2015 Në ora: 16:04

Sot në Prishtinë u hap Panairi Veror i Ndërmarrësisë në organizim të Asociacionit të Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA), që financohet nga BE, në bashkëpunim me Women for Women International dhe komunën e Prishtinës. Panairi është një ngjarje dy-ditore e dizajnuar si një mundësi për prodhuesit vendorë dhe të artizanaleve të promovojnë produktet e tyre.

“Kam kënaqësinë të jem sot në këtë panair para së gjithash për faktin e pjesëmarrjes së theksuar të bizneseve që udhëhiqen nga gratë sepse shkalla e papunësisë së femrave është 50 % më e lartë në krahasim me papunësinë ndër meshkuj”, tha Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë z. Christof Stock në fjalën e tij përshëndetëse, duke shtuar se zhvillimi dhe promovimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes ngjarjeve si kjo është shumë i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Promovimi i prodhimeve vendore nuk është para së gjithash as akt emocional apo patriotik, por një parakusht për fuqizimin e prodhuesve vendorë dhe për rrjedhojë rritjen ekonomike në përgjithësi”, tha Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili përgëzoi organizatorët për nismën dhe për pjesëmarrjen e bizneseve të shumta që udhëhiqen nga gratë. Z. Ahmeti u zotua se në të ardhmen në bashkëpunim me ARDA-n do të organizojnë aktivitete që do të nxisin promovimin e prodhimeve vendore.

Asociacioni i Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA) është një rrjet për zbatimin e politikave të Kosovës dhe BE-së. Misioni i ARDA-s është të koordinoj dhe promovoj zhvillimin rajonal dhe rural në Kosovë. Në arritjen e objektivave të saj, organizata promovon bashkëpunimin dhe komplementaritetin me autoritetet përkatëse të Kosovës në nivel qendror dhe lokal, asociacionin e komunave, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe donatorët e tjerë, si dhe hisedarë të tjerë relevant./BS





Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat