Hoti: Luftimi i ekonomisë joformale – prioritet i MF-së

Ekonomi

Hoti: Luftimi i ekonomisë joformale – prioritet i MF-së

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 17:40

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka vizituar sot zyrat regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës në Ferizaj dhe Gjilan, ku ka thënë se në ATK ka pasur zhvillime pozitive në fushën e mbledhjes së detyrimeve tatimore për buxhetin e shtetit, si dhe në fushën e sundimit të ligjit me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për të bërë biznes në Kosovë, e në veçanti ofrimin e shërbimeve më të mira dhe më të shpejta për tatimpaguesit.

Ministria e Financave ka investuar shumë në përgatitjen e stafit të ATK-së në mënyrë që të kemi një administratë tatimore të aftë për t’u përballur me sfidat e saj dhe njëherësh edhe për të realizuar objektivat e veta. Gjithashtu, në kuadër të këtyre investimeve hyjnë edhe reformat të cilat kanë të bëjnë me bashkimin e ATK-së dhe Doganës në të ardhmen, me qëllimin e vetëm që të rrisim cilësinë e shërbimeve në raport me bizneset dhe qytetarët e Kosovës, thuhet në komunikatën e MF-së pas takimeve të Hotit në Ferizaj dhe Gjilan.

“Sot jam këtu për t’ju dhënë përkrahje edhe në fushën e luftimit të ekonomisë joformale si një fenomen i cili po e dëmton vendin dhe zhvillimin e biznesit formal dhe dua të theksoj se Ministria e Financave është bartëse e implementimit të strategjisë për luftimin dhe parandalimin e ekonomisë joformale si dhe dukurive tjera negative, luftimi i ekonomisë joformale është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Financave, respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke i inkuadruar edhe përfaqësuesit e bizneseve, shoqërisë civile dhe institucionet relevante shtetërore në Kosovë”, ka thënë Hoti.

U.d. drejtori i përgjithshëm i ATK-së Nahit Sharku ka thënë se ATK, është e përkushtuar në trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve dhe është e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të legjislacionit tatimor, në mënyrë që të krijoj kushte më të mira për zhvillimin e biznesit.

Gjatë këtyre vizitave ministri Hoti së bashku me drejtorin e ATK-së kanë zhvilluar takim me kryetarin e komunës së Gjilanit, ku është diskutuar për ngritjen e bashkëpunimit, kryesisht në zbatimin e pakos së re fiskale. Kryetari Lutfi H aziri ka ofruar mbështetje dhe bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe ATK-në për përmbushjen e objektivave, duke zbatuar pakon e re fiskale, thuhet në njoftimin e MF-së./KosovaPress/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat