Ndryshimet e TVSH-së varfërojnë edhe më shumë qytetarët

Ekonomi

Ndryshimet e TVSH-së varfërojnë edhe më shumë qytetarët

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 11:12

Reforma fiskale e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës po vlerësohet se do të ndikojë negativisht tek qytetarët. Këto ndryshime negative po përcillen me faktin se ulja e TVSH-së nga 16% në 8% për disa produkte bazë nuk do të kenë ndonjë efekt të madh, sikurse rritja nga 16% në 18% për mbi 100 mijë produkte.

Në këtë situatë vlen të theksohet se kjo reformë fiskale ka ardhur si nevojë e Qeverisë për rritje të të hyrave për arsye se në prag të zgjedhjeve ka marrë një vendim ad-hoc pa ndonjë arsyeshmëri financiare, për rritjen e shpenzimeve përmes rritjes së pagave për punonjësit e sektorit publik.

Hulumtuesi nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, Berat Thaqi në një intervistë për Kosovapress tregon arsyet se pse ky ndryshim do të jetë negativ për xhepin e qytetarit.

“Tash si pasojë e këtij veprimi të Qeverisë së Kosovës, të pamatur nga ana financiare, tashmë e kemi një situatë kur punëtorët e sektorit publik përfitojnë rritja e pagave, ndërsa të gjithë punonjësve tjerë të sektorit privat dhe atyre që janë të papunë, do t’u vështirësohet jeta, do t’ u rritet kostoja e jetës, për arsye se Qeveria e kaluar i ka rritur shpenzimet buxhetore dhe tashmë ka nevojë që t’i rrisë të hyrat, kështu që si pasojë e nevojës për rritjen e të hyrave, rrit TVSH-në dhe kjo rritje e TVSH-së reflekton në rritje të kostos së jetës të të gjithë qytetarëve të Kosovës.” tha Thaqi.

Ulja e TVSH-së nga 16% në 8% do të përfshijë konkretisht disa produkte të caktuara si buka, mielli, orizi dhe disa shërbime tjera, si TVSH-në në energji, në shërbimet e ujit, do të jetë një përgjysmim i TVSH-së. Por, sipas Thaqit, kjo do të ndikojë shumë pak në uljen e kostos së jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Nëse kjo ulje e TVSH-së nuk përcillet me uljen e çmimeve të tregtarëve atëherë ky ndryshim i TVSH-së mund të keqpërdoret sepse nuk ka ndonjë mekanizëm që mund t’i detyrojë tregtarët apo shitësit t’i ulin çmimet në produktet e tyre, sepse këtë e rregullon tregu, e kjo mund të jetë e rrezikshme, se qytetarët mund të mos përfitojnë as nga kjo ulje.” thotë Thaqi.

Sipas tij, krahas reformës fiskale për prodhuesit kosovarë është e domosdoshme që të bëhet edhe përmirësimi i sundimit të ligjit, sepse shumë shpesh reformat tjera pa përmirësim të ligjit, kanë pasur efekt zero.

“Një ndryshim me rendësi që po ndodh mbi ligjin e TVSH-së është se do të aplikohet tatim edhe në barna, deri më tani ky tatim ka qenë zero dhe ky aplikim i tatimit do të reflektojë me rritje të çmimit të barnave, tash do të detyrohen të paguajnë më shtrenjte për barna që ta mbushin buxhetin dhe ne si in stitut nuk e kemi përkrahur një hap të tillë nga Ministria e Financave.” tha Thaqi.

Thelbi i këtij problemi sipas tij e ka zanafillën që kur ka filluar rritja e pagave për sektorin publik, atëherë në prag të zgjedhjeve janë premtuar këto rritje, për interesa të ngushta politike dhe tash vendi gjendet në një situatë shumë të keqe, ku nga rritja e pagave kanë përfituar 90 mijë persona nga buxheti publik.

Në këtë situatë për këta 90 mijë do të paguajnë të gjithë qytetarët tjerë, edhe ata të sektorit privat edhe ata të papunët, ata të cilët nuk kanë marrë rritje pagash, pra do të paguajnë për këtë vendim i cili ka qenë i pamatur dhe e ka futur buxhetin e Kosovës në një gjendje të tillë.

“Nga perspektiva e buxhetit të Kosovës, kjo është zënie e trenit të fundit, për arsye se buxheti është duke u futur në deficit dhe shpenzimet janë më të mëdha se të hyrat, ka ngecje në realizmin e të hyrave, ashtu siç është planifikuar në projekt buxhetin. Dhe, normalisht, kjo rritje është nevojë e buxhetit të Kosovës por kjo rritje ka ardhur si pasojë e veprimeve të mbrapshta politike.” tha Thaqi.

Duhet theksuar se në mars të këtij viti Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim që të aprovojë disa reforma fiskale, ndër to edhe ndryshimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, ndryshimin e Ligjit për tatimin në korporata dhe ndryshimin e Ligjit për të ardhurat personale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat