​Inspektimi dhe rregullimi i tregut problem për bizneset

Ekonomi

​Inspektimi dhe rregullimi i tregut problem për bizneset

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 14:53

Në mbledhjen e dytë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, është shqyrtuar çështja e inspektimeve dhe rregullimit të tregut. Kjo temë, është një problematikë të cilën edhe drejtuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë e konsideruan një lloj presioni që po i krijohet sektorit privat.

Kryesuesja e Këshillit Kombëtar, njëherësh edhe ministre MTI-së, Hikmete Bajrami, tha se në këtë takim ka pasur propozime të ndryshme në aspektin biznesor të cilat janë trajtuar me shumë kujdes. Një nga pikat shumë të rëndësishme ka qenë formimi i katër Grupeve Punuese, të cilat do të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha temat të cilat ngritën në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Sipas saj, çështja e rregullimit të tregut është një problematikë.

“Ne në fakt sot e hapem temën e inspektimeve të tregut dhe çështjen e rregullimit... kjo është një problematikë të cilën ne konsiderojmë që është një lloj presioni që po i krijohet sektorit privat. Meqenëse, janë diku 41 lloje të inspektorateve dhe komisioneve rregullative dhe trupa inspektuese, që inspektojnë për gjëra të ndryshme operatorët privat. Ne kërkuam që Grupi punues për lehtësira në biznes, në fakt ta trajtojë këtë çështje dhe të vihet një propozim konkret në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar.... Meqenëse konsiderojmë se duhet të bëhet një reformë gjithëpërfshirëse dhe sektori privat të mos e ketë këtë presion të të gjithë këtyre trupave, por të kemi një thjeshtëzim të fushës rregulluese të tregut...po edhe të kemi një lloj koordinimi në mes nivelit qendrorë dhe atij lokal”, tha Bajrami.

Sipas ministres Bajrami, një temë tjetër e cila është diskutuar në Këshill, ishte edhe nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim.

“Është paraqitur nga drejtori i Asociacionit të Komunave një kërkesë, ku komunat konsiderojnë se ky ligj nuk ofron mundësi të mjaftueshme për dhënien e pronës private tek investitorët potencial...Komunat po humbin një numër të investitorëve pikërisht për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe për pamundësitë për të dhënë tokën investitorëve...Kjo temë i kaloj Grupit Punues për çështje legjislative dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit... do të vijnë propozimet konkretet për propozim ndryshim të ligjit”, tha Bajrami.

Sipas saj, kjo çështje komunale do të zgjidhet edhe me një Ligj të Ministrisë së Tregtisë që po punon për investimet strategjike. Bajrami konsideron që Kuvendi i Kosovës, në fushat e caktuara dhe për investime strategjike do t’i jep në kompetencë Qeverisë së Kosovës që të shkojë në negociata të drejtpërdrejta me investitorë strategjik, dhe kjo do të caktohet se kush konsiderohet investitorë strategjik.

Kryesuesja e Këshillit tha se edhe Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), ka ngritur dy çështje me të cilat ky Këshill do të merret në mënyrë serioze nga Ministria e Financave dhe Dogana e Kosovës lidhur me informatat me listën e re për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.

“Këto çështje janë diskutuar dhe janë adresuar në pakon re fiskale. Nesër është mbledhje e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa ku do të diskutohet dhe do të votohen amandamentetet e pakos së re fiskale dhe ne presim që pakoja e re fiskale të hyhet në fuqi. AKB, si përfaqësues i komunitetit të biznesit ka kërkuara që të gjitha kërkesat e saj për lirimin e mallrave të ndryshme të adresohen. Politikë e përgjithshme e Qeverisë së Kosovës është se e gjithë makineria që përdoret për prodhim dhe e gjithë lënda e para e cila nuk prodhohet në Kosovë të lirohet nga TVSH-ja dhe nga taksat doganore. Konsiderojmë se kërkesa e tyre do të zgjidhet dhe kjo kërkesë nuk kalon tek Grupet punese, sepse kjo kërkesë do të zgjidhet shumë më herët”, tha Bajrami.

Po ashtu, nga AKB është ngritë edhe çështja e shfuqizimit të Udhëzimit Administrativ që përcakton koston transportit dhe për këtë Dogana e Kosovës është duke punuar në këtë drejtim. Gjithashtu, Këshilli ka marrë kërkesa edhe nga Odat tjera ekonomike për prokurimin publik. Kryesuesja e Këshillit në hapje të mbledhjes ka veçuar si të rëndësishme themelimin e Fondit për garantimin kredive.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat