Shoqata Shqiptare e Bankave: Masat në Greqi, nuk ndikojnë bankat në Shqipëri

Ekonomi

Shoqata Shqiptare e Bankave: Masat në Greqi, nuk ndikojnë bankat në Shqipëri

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 08:49

Shoqata Shqiptare e Bankave, në emër të gjithë bankave anëtare të saj, duke marrë shkas nga situata e krijuar së fundmi në Greqi, lajmëron dhe siguron publikun e të gjithë depozituesit e klientët, se zhvillimet në vendin fqinj nuk ndikojnë në stabilitetin dhe funksionimin normal të bankave në Shqipëri.

“Sistemi bankar shqiptar, përfshirë edhe bankat me kapital Grek, është financiarisht dhe operacionalisht i pavarur nga sistemet bankarë në vende të tjera. Të gjitha bankat tregtare operojnë në Shqipëri si njësi të pa varua ligjore, nën kuadrin legjislativ e rregullator shqiptar, përfshirë kërkesat për kapital dhe mbikëqyrjen bankare”, thuhet në deklaratën e shoqatës shqiptare të bankave.

Më tej shtohet se asnjë nga bankat tregtare në Shqipëri nuk është degë e një banke të huaj.

“Sikundër reflektohet në pasqyrat financiare dhe informacionet e publikuara rregullisht, sistemi bankar në Shqipëri ka nivele të larta mjaftueshmërie kapitali dhe likuiditeti, çka garanton stabilitetin e tij, funksionimin normal, dhe mos-ndikimin nga zhvillimet negative në vendet fqinjë”, siguron shoqata shqiptare e bankave.

Sipas kësaj shoqate, masat e marra nga qeveria apo banka qendrore Greke përkundrejt sistemit financiar grek nuk kanë asnjë efekt ligjor në Shqipëri dhe nuk mund të impaktojnë në asnjë mënyrë funksionimin normal dhe stabilitetin e sistemit bankar shqiptar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat