Hoti-Vermeulen: FMN mbetet e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës

Ekonomi

Hoti-Vermeulen: FMN mbetet e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 11:18

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka pritur sot në takim njoftues përfaqësuesin e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë Ruud Vermeulen, i cili nga korriku i këtij viti do ta zëvendësojë përfaqësuesin aktual të FMN-së Frank Lajkwik, i cili gjithashtu ka qenë i pranishëm në takimin e sotëm.

Sipas komunikatës së MF-së, Hoti gjatë takimit ka falënderuar Lajkwikun për kontributin dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, në veçanti për kontributin në përgatitjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe FMN-së.

Ai, po ashtu përfaqësuesit të ri të FMN-së Ruud Vermeulen i ka uruar mirëseardhje dhe detyrën e re në Kosovë, dhe ka theksuar se bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet FMN-së dhe Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Hoti ka thënë se shpreson se bordi i FMN-së do ta aprovojë marrëveshjen me Kosovën.

Ministri e ka njoftuar Vermeulenin për zhvillimet e fundit rreth buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe për përkushtimin e Qeverisë për ndryshimin e një sërë ligjesh të cilat ndikojnë në krijimin e kushteve të të bërit biznes, masat e marra fiskale në përgjithësi si dhe rreth stabilitetit makro fiskal.

Përfaqësuesi i ri i FMN-së Vermeulen ka theksuar se do të jetë këtu për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën, dhe se FMN-ja është e përkushtuar që Kosova të ketë zhvillim ekonomik, stabilitet financiar dhe në këtë drejtim do ta ketë edhe ndihmën e këtij institucioni, thuhet në komunikatën e MF-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat