Bujqësia dhe IT-ja krijojnë shumë vende pune në Kosovë

Ekonomi

Bujqësia dhe IT-ja krijojnë shumë vende pune në Kosovë

Më: 23 maj 2015 Në ora: 14:38

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka përmendur tri parakushte themelore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik: infrastrukturën, energjinë dhe arsimin e edukimin

Me pjesëmarrjen e studiuesve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia, në Kolegjin “Pjetër Budi” është mbajtur konferenca shkencore ndërkombëtare “Zhvillimi ekonomik si bazë për krijimin e vendeve të reja të punës”.

Pasi ka folur për arritjet në infrastrukturë dhe energji, Stavileci është ndalur në arsim, duke thënë se fokusi i të gjithëve duhet të përqendrohet në ngritjen e cilësisë, në mënyrë që studentët të jenë të gatshëm për tregun e punës. Ai ka theksuar se një shtet i vogël si Kosova është e pamundur që çdo vit të prodhojë dhjetë mijë ekonomistë, juristë dhe studiues të shkencave politike.

Stavileci ka folur edhe për rëndësinë shumë të madhe të teknologjisë së informacionit në funksion të zhvillimit ekonomik dhe zbutjes së papunësisë. Sipas tij, bujqësia dhe IT-ja janë dy sektorë që mundësojnë krijim më masiv të vendeve të reja të punës.

Dekani i Kolegjit “Pjetër Budi”, Nuhi Rexhepi, në fjalën e tij ka vënë theksin në kontributin dhjetëvjeçar të këtij institucioni të arsimit universitar në përgatitjen e kuadrove për tregun e punës.

Gjatë punimeve të konferencës, studiuesit kanë prezantuar kumtesat e tyre shkencore, në të cilat kanë trajtuar aspekte të ndryshme të lidhura me temën bosht - që nga roli i teknologjisë informative në zhvillim dhe punësim, menaxhimi strategjik i resurseve njerëzore dhe zhvillimi e ngritja e performancës së ndërmarrjeve publike, deri te ndikimi i ligjit në gjenerimin e vendeve të punës.

Konferenca shkencore ndërkombëtare e Kolegjit “Pjetër Budi” është tradicionale dhe sivjet është organizuar në dhjetëvjetorin e punës akademike dhe shkencore të këtij institucioni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat