FMN: Pagat në Kosovë u rritën për qëllime politike

Ekonomi

FMN: Pagat në Kosovë u rritën për qëllime politike

Më: 22 maj 2015 Në ora: 11:27

Pagat e shërbyesve civilë në Kosovë janë ngritur për qëllime politike dhe me pasoja negative për ekonominë. Kështu thuhet në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën.

Sipas këtij raporti, në zgjedhjet e vitit 2011, qeveria e Kosovës ka ngritur pagat për 50 për qind, duke i ngritur kështu shpenzimet e përgjithshme në kategorinë e pagave për rreth 27 për qind.

Përsëri në zgjedhjet qendrore të vitit 2014, pagat e shërbyesve civil janë ngritur edhe për 25 për qind.

“Në Kosovë incentivat politike të Qeverisë për t’i ngritur pagat në periudhat parazgjedhore janë shumë të fuqishme. Së pari institucionet qendrore dhe lokale përbëjnë çerekun e gjitha punësimeve formale dhe një përqindje e madhe e votuesve përfitojnë nga ngritja e pagave. Po ashtu, edhe shumë votues të tjerë përfitojnë indirekt nga ngritja e pagave”, thuhet mes tjerash në raport, duke shtuar më tej se në Kosovë një ose më shumë votues është i varur nga të ardhurat e secilit të punësuar në sektorin publik.

Përndryshe, pagat në sektorin publik në Kosovë, si në zgjedhjet e vitit 2011, ashtu edhe në ato të fundit të vitin 2014, janë ngritur me vendim të ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili në Qeverinë e kryeministrit Isa Mustafa e mbanë postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm.

Nga ngritja e lartë e pagave në sektorin publik, përkundër rritjes së ulët ekonomike në vend, partia e tij(PDK) ka arritur të dal e para në zgjedhjet e fundit nacionale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat