Strategjia për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike (KBFP) është një hap shumë i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës dhe ajo duhet të ndërtohet mbi traditën dhe interesin e shtetit të Kosovës, e jo mbi parimet e ndonjë shteti tjetër.
Kështu tha përfaqësuesi i Departamentit të Buxhetit në Komisionin Evropian Raymond Hill në konferencën për strategjinë e KBFP-së, e cila pati për objektiv ngritjen e vetëdijes në përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe përgjegjësinë e menaxhmentit të lartë të institucioneve të sektorit publik në zbatimin e kësaj strategjie.
Sipas Hill, krijimi i kësaj strategjie tregon përpjekjet e shtetit të Kosovës për të krijuar kontrollet e veta të këtij sistemi.
Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi tha se një gjë e tillë po bëhet në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohen shërbime sa më të mira në këtë fushë.
Ministria e Financave e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë organizon sot Konferencën për kontrollin e brendshëm të financave publike, me ç’rast prezantohet edhe Strategjia e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike për periudhën 2015-2019.