Kosova me rritje të pakënaqshme ekonomike

Ekonomi

Kosova me rritje të pakënaqshme ekonomike

Më: 20 maj 2015 Në ora: 17:53

Edhe pse Kosova vitin e kaluar e ka përmbyllur me një rritje ekonomike prej rreth 3.3%, megjithatë është në mesin e shteteve me papunësinë dhe varfërinë më të madhe në Evropë.

Kështu u tha sot në një tryezë të organizuar nga Universiteti AAB, në të cilën u shpreh bindja se viti 2015 do të jetë vit stabilizues për Kosovën.

Ministri i Financave, Agim Krasniqi tha se Ministria që ai drejton realisht perceptohet si një institucion shumë I ngurtë që kryen disa funksione teknike që kanë të bëjnë me buxhetin, kontabilitetin, por jo shumë edhe në kuptimin e aspekteve zhvillimore të politikave publike.

Sipas Krasniqit, Qeveria e re ka hartuar për herë të parë programin për reformat ekonomike.

“Qeveria e re, normalisht ka hartuar programin qeveritar, për katër vitet e ardhshme. Një program I cili është kornizë për orientimet katërvjeçare. Po ju njoftoj që mbi bazën e këtij programi është hartuar edhe program kombëtar për herë të parë në Kosovë për reformat ekonomike. Një program I cili është obligim I Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me Komisionin Evropian, ku tregohen të gjitha zhvillimet dhe trendet që priten në trevjeçarin e ardhshëm. Mbi bazën e këtyre dokumenteve është hartuar tash dhe është dërguar në Kuvend korniza afatmesme e shpenzimeve “, tha Krasniqi.

Viti 2015, sipas ministrit të Thesarit, do të jetë vit stabilizues, me rritje ekonomike rreth 3.3%, ndërsa indikatorët për këtë rritje do jenë konsumi, diaspora (remitencat) dhe eksporti.

Kryetari I Prishtinës Shpend Ahmeti tha se Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër dhe me papunësinë më të madhe në Evropë.

“Nëse I shohim statistikat kryesore për popullatën, 50% më të rinj se 25 vjet, 70% më të rinj se 35 vjet, me një treg të punës të cilit i shtohen diku 25 mijë njerëz për çdo vit, atëherë si mund të ndodhë që ne jemi sot vendi me papunësinë më të madhe në Evropë. Edhe me varfërinë gati se në vendin e parë në Evropë, ku ‘shtyhemi’ me Moldavinë”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se si shtet po shpenzojmë më shumë sesa që kemi kapacitet.

Ahmeti me këtë rast kërkoi që Qeveria të ndajë më shumë buxhet për sektorin e bujqësisë, pasi që është ndër sektorët e paktë në vend që mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.

Deputeti i Partisë Denmokratike të Kosovës, Besim Beqaj, ndërkaq, u shpreh se Kosova ka 60 mijë ndërmarrje taksapaguese.

“60 mijë ndërmarrje janë taksapagues në Kosovë, e di mirë sepse kam qenë Ministër I Financave për gati dy vite dhe mesataren që e kemi nxjerrë ne të punësimit, janë diku rreth 8 të punësuar për një ndërmarrje, që i bie do të thotë janë diku 500 mijë njerëz të punësuar, por një pjesë e madhe e tyre janë në tregun joformal… po të ishte papunësia 45% nuk do të mund të dilnim në rrugë. Papunësia në Kosovë, konform edhe ekonomsë joformale të cilën e kemi ndërmarrë vitin e kaluar në sistemet e Bashkimit Evropian, ka dalë 31%, nëse e konsiderojmë që janë edhe mjetet e diasporës, dërgesat të cilat na vijnë, nëse I konsiderojmë ato që janë mjete të cilat janë të pafutura në sistem , sepse janë dërgesa private”, tha Beqaj.

Ndërsa Agim Shahini, drejtor i Agjencionit Kosovar të Bizneseve, kundërshtoi të pranishmit, duke thënë se hulumtimet tregojnë që Kosova nuk qëndron aspak mirë në trendin e ndërmarrësisë.

“Sipas Aleancës Kosovare të Biznesit dhe hulumtimeve që ne vazhdimisht I publikojmë, tregon se trendi I ndërmarrësisë në Kosovë nuk është i mirë. Dhe këtu tregon fakti se çfarë rritje ekonomike kemi. Rritja ekonomike është e pamjaftueshme dhe sipas hulumtimit që ne e kemi bërë në vitin e kaluar ka pasur rritje të punësimit vetëm 2.78%. dhe këtë e vërteton edhe enti statistikor I Kosovës, prandaj nuk duhet të kënaqemi që kemi një qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare”, tha Shahini.

Ai po ashtu përmendi se nëse rritja ekonomike do të ishte e kënaqshme, nuk do të kishim mbi 100 mijë qytetarë të ikur nga Kosova.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat