Fondi investiv dhe ai i punësimit, akoma vetëm fjalë politike

Ekonomi

Fondi investiv dhe ai i punësimit, akoma vetëm fjalë politike

Më: 19 maj 2015 Në ora: 09:19

Më shumë se 1.2 miliardë euro janë grumbulluar nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Fondi i Privatizimit deri më tani. Këto mjete po mbahen nëpër banka të 61 shteteve të Botës. Edhe pse këto mjete janë një shumë e konsiderueshme, shteti i Kosovës këto para nuk po i shfrytëzon për zhvillim ekonomik. Ideja gjatë zgjedhjeve të fundit që përmes këtyre fondeve të formohej fondi i punësimit dhe fondi investiv ende nuk ka gjetë interesim nga Qeveria aktuale. Këtë neglizhencë të ekzekutivit e ka kritikuar nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka plan për të shfrytëzuar paratë e Trustit dhe të Privatizimit. Kështu u tha të hënën mbrëma në emisionin “Ekonomia me Erëzën” të Klan Kosovës.

Nënkryetari i parisë më të madhe opozitare, Dardan Sejdiu ka thënë se gjatë këtyre muajve që kur është formuar Qeveria e Kosovës, kemi parë një dështim për të formuar fondin investiv dhe atë të punësimit.
“Asnjë vend punë nuk është krijuar, as një hap konkretë nuk është marr për paratë e privatizimit e as për paratë e Trustit, dhe modelin që po vazhdojnë me e bë po tregojnë që nuk kanë plan qeverisës për këto mjete” ka vlerësuar Sejdiu.

E për këto kritika të zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, përgjigje ka pasur i pari që menaxhon buxhetin e shtetit. Avdullah Hoti ka thënë se po sa të formohet bordi në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Qeveria e Kosovës do të marr nga ky institucion i pavarur një shumë të parave.

“Bordi i AKP-së nuk është funksional, po sa të formohet bordi ne presim që një pjesë e konsiderueshme të këtij instuicioni të barten në buxhetin e shtetit, sepse ato janë mjete të shtetit të Kosovës” ka thënë Hoti.
Ai më tej ka folur edhe për fondin e zhvillimit, që sipas tij, Qeveria e Kosovës ka në programin e sajë që të shfrytëzoj një pjesë të parave të Trustit Pensional në projekte kapitale.
Hapja e vendeve të punës dhe fondi investiv ka qenë edhe premtimi i madh elektoral nga PDK dhe LDK në zgjedhjet e fundit nacionale. Sipas krerëve të këtyre partive, kjo do të arrihej vetëm përmes fondeve të Trustit Pensional të Kosovës dhe Fondit të Privatizimit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat