Varoufakis: Jemi shumë afër marrëveshjes, nuk dalim nga zona euro

Ekonomi

Varoufakis: Jemi shumë afër marrëveshjes, nuk dalim nga zona euro

Më: 19 maj 2015 Në ora: 08:47

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis tha se shpreson në arritjen e një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë javën e ardhshme.

Ndërsa gjatë së hënës, mes frikës në rritje se vendi është në prag të falimentimit dhe do t’i duhet të paguajë këstin e radhës prej 1.5 miliardë eurosh, në datën 5 qershor ndaj FMN-së, zëdhënësi i qeverise greke ka bërë të ditur, se Athina do të paguajë pagat e sektorit publik dhe pensionet për këtë muaj.

Varoufakis tha për një televizion grek se marrëveshja me kreditorët është “shumë afër” dhe mohoi se vendi mund të largohet nga zona euro. “Një tjetër monedhë nuk është në radarin tonë”, tha ministri grek, ndërsa shtoi se do të refuzojë çdo kompromis që ai e konsideron jopraktik.

“Unë ju siguroj se nëse ne do të përballemi me dilemën për të paguar një kreditor që refuzon të nënshkruaj marrëveshjen dhe në anën tjetër me një pensionist, ne do të paguajmë pensionistin. Unë shpresoj se ne do të jemi në gjendje t’i paguajmë të dy”, shtoi Varoufakis.

Qeveria greke, BE-ja dhe FMN-ja kanë mbyllur negociatat mbi reformat ekonomike, ndërsa Athinës i është bërë e qartë se fondi prej 7.2 miliardë eurosh nuk do të lëvrohet deri në zbatimin e reformave. Reforma e pensioneve, liberalizimi i tregut të punës dhe ripunësimi i rreth 4 mijë ish-nëpunësve civilë, janë çështje që mbeten ende për t’u zgjidhur.

Më herët, gjatë muajit, vendi ballkanas filloi transferimin e 750 milionë eurove në interesa për borxhet e marra ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, një ditë përpara skadimit të afatit.

Të enjten Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras do të marrë pjesë në “Samitin e Partneritetit Lindor” të BE-së në Riga, ku pritet që çështja e Greqisë të jetë një nga temat kryesore./ TCh

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat